“5 propozimet për Rimëkëmbjen”, Basha: Bizneset e prekura nga tërmeti duhet të kenë lehtësi fiskale

Premte, 13 December 2019 10:27

Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi në takime me biznese të prekura nga tërmeti në Durrës se ata duhet të përfitojnë lehtësi nga qeveria. Në mënyrë që të mos përballen me falimentimin, opozita ka propozuar një plan me 5 pika, që ofron lehtësi fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aqulia.

“Të gjitha bizneset; bizneset e vogla, bizneset e Durrësit duhet të përfitojnë nga masa lehtësuese. Kështu ka ndodhur kudo kur janë goditur ekonomitë lokale nga tërmeti. Durrësi nuk është thjesht ekonomi lokale, është ekonomia e dytë më e madhe pas Tiranës. Po u fut Durrësi në kolaps ekonomik të thellë për shkak të tërmetit, se në kolaps ekonomik kemi qenë edhe përpara tërmetit, atëherë e merr gjithë Shqipërinë me vete. Prandaj kemi propozuar ato 5 masa:

1. Pezullim të faturave të energjisë dhe të ujit.
2. Pezullim të të gjitha taksave vendore, duke përfshirë taksën e pronës,
3. Pezullim dhe shtyrje e pagesës me këste të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore
4. Anulim i çdo takse të tatim-fitimit apo taksa të tjera për të gjithë kohën derisa situata të normalizohet

5. Përjashtim nga TVSH për lëndët e para dhe materialet që përdoren për rikuperimin e dëmeve. “

Këto pesë pika i japin mundësi biznesit ta mbajë kokën mbi ujë”, – u shpreh zoti Basha.
Duke sjellë në vëmendje rastin e Italisë, kreu i opozitës vuri në dukje se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria, biznesi do të vuajë pasoja të rënda.

“Veprimtaria juaj fiskale duhet pezulluar. Shteti s’mund t’ju marrë asnjë cent, s’mund t’ju tatojë gjatë kohës që ju nuk punoni. Dhe kjo nuk është mëshirë, kjo është normale. Si mund të tatosh një biznes që nuk punon për shkak të një fatkeqësie natyrore?! E dyta duhet të keni mundësinë që të mbështeteni në të njëjtën mënyrë si banorët dhe banesat për rimëkëmbjen e biznesit. Në Itali, ku ra tërmeti i madh para dy vjetësh, bizneset janë mbështetur deri në 100% të vlerës së dëmit, njësoj si banesat.”

Basha tha se në rast se nuk ndihmohet biznesi, atëherë gjërat vijnë zinxhir dhe pasojat e krizës i vuajnë të gjithë.

“Kur themi biznes krijojmë keqkuptime, biznes do të thotë punësim, është një zinxhir i tërë që është pas punës tënde; do të thotë fuqi blerëse, do të thotë punësim, do të thotë edhe buxhet. Në qoftë se nuk arrin dot të mbështesë biznesin do të dëmtosh të gjithë; do të dëmtosh të punësuarit, do të dëmtosh buxhetin e shtetit, do të dëmtosh edhe mundësinë e shtetit për të ardhur në ndihmë”, – deklaroi kreu i opozitës.

Paketa me 5 pika u propozua nga kryetari demokrat gjatë javës së shkuar pasi inspektoi bizneset e Durrësit, Krujës dhe qarkut të Lezhës, të cilët kanë pësuar dëme të mëdha materiale dhe për shkak të ndërprerjes së punës dhe largimit të forcës punëtore.

“Kjo situatë e pasigurisë është e papranueshme, sepse po hyjmë në javën e tretë. Duhet të ketë qartësi se çfarë po ndodh, dhe qartësia fillon me vlerësimin e çdo banese. Pa vlerësuar banesat, ju nuk mund të keni qartësi. Tani këta duhet të transferojnë fondet, se nuk ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit.

Modifikuar më Premte, 13 December 2019 10:29
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...