Paketa anti-shpifje, Këlliçi: Rama erdhi si pro-perëndimor dhe po përfundon si satrap lindor

Tuesday, 17 December 2019 11:44

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, u shpreh në A2 se paketa anti-shpifje është tërësisht në funksion të forcimit të pozitave të kryeministrit.

“Mjaft më me autokrat, mjaft më me censurë, mjaft më me çdo tentativë të mundshme për të kapur çdo qelizë të shtetit. Ky ligj është tërësisht në funksion të forcimit të pozitave të kryeministrit, si një autokrat tashmë i suksesshëm në zonën e Ballkanit. Rama erdhi si një njeri pro-perëndimor dhe po përfundon si një satrap lindor, është një problem madhor jo vetëm për ne, por për të gjithë rajonin. Ky ligj është i paprecedent. Ky ligj ka marrë “jo”-në jo vetëm nga BE dhe i shërben vetëm Edi Ramës. Uroj që kjo çmenduri të mos kalojë nesër në Parlament”.
Akademia Politike, “fryma e re, brezi i ri”

“Për të tretin vit radhazi, ne organizojmë akademinë politike, në bashkëpunim të plotë me fondacion gjerman të CDU. I gjithë qëllimi ynë është të paraqesim një model ndryshe. Ne kemi pasur mundësinë të diskutojmë për temat më të rëndësishme që ka çdo demokraci funksionale. Të gjitha këto tema vihen përballë një auditori. Është një format tërësisht ndryshe, ku nuk ka militantizëm. Në fund të kësaj akademie ne dalim me propozime konkrete”.
Kërkesa që predominoi në Akademinë Politike…

“Ata duan garanci për të ardhmen e tyre. Kemi marrë edhe shembuj konkret, ku familje të ndryshme me dy fëmijë, kanë të ardhura mesatare, kemi bërë llogaritë dhe në fund të ditës del se është e pamundur për të jetuar në Shqipëri. Me standardin e sotëm dhe politikave të qeverisë është e pamundur. Në fund të ditës ne duhet të flasim për alternativ, për program dhe zgjidhje. Aty kemi një format ku flitet pa censurë edhe për liderin e PD dhe kjo është mjaft pozitive”.

Login to post comments