Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, zhvilloi sot seancën gjyqësore të radhës për çështjen “Geron Xhafaj”, për të cilën Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 1.6 vite burg.
Avokati i ish-deputetit kërkoi që Salianji të shpallet i pafajshëm, ndërsa vetë ish-deputeti kërkoi rishikimin e provave, që sipas tij, janë shmangur nga Prokuroria për t’i dhënë tjetër rrjedhë hetimit.
Salianji tha se audio-regjistrimi është i vërtetë, ndërsa shtoi se prokuroria me qëllim i referohet vetëm dëshmisë së Alizotit, duke mos marrë parasysh komunikimet e Alizotit me zyrtarë të lartë të policisë.
“Nëse do të doja të bëja një konspiracion kaq të madh do ta bëja me vëllain e kryeministrit, jo me vëllain e ministrit të Brendshëm. Të rishihen provat që janë shmangur nga prokuroria për t’i dhënë një tjetër rrjedhë hetimit. Audio-regjistrimi është i vërtetë. Prokuroria është nisur nga premisa që kam bërë unë lidhjen mes Olldashit dhe Veliut, por tabulatet provojnë që më ka vënë Olldashi në kontakt me Veliun. Prokuroria i referohet në mënyrë të qëllimtë vetëm dëshmisë së Alizotit, duke mos marrë parasysh komunikimet e Alizotit me zyrtarë të lartë të policisë. Në këto përgjime del qartë që po paguhej për dëshmi të rreme. Një provë tjetër e pa kundërshtueshme është pavërtetësia e thënieve të Alizotit, që thotë se direkt pas regjistrimet janë nisur në Tiranë. Qelizat telefonike tregojnë qartë se nga 13 janari 18 deri në 31 janar 18 Alizoti nuk ka qenë në Tiranë. Ne e kemi disponuar materialin audio në fund të tetorit dhe jo në janar siç thotë Alizoti”, tha ish-deputeti.