Socialisti me rrogë marramendëse: Njeriu që ndihmoi Ramën në vendosjen e censurës

E mërkurë, 18 December 2019 20:05

Kur Edi Rama postoi online një mesazh të martën, ku thuhej se paketa ligjore anti-shpifje është e dakordësuar 100 përqind me ekspertët e huaj, shumëkush në redaksitë e Tiranës mbeti i habitur.

Këshilli i Europës sapo kishte lëshuar një prej deklaratave më të forta të bëra ndonjëherë kundër nismës së Edi Ramës, përmes Dunja Mijatoviç.

 

Më vonë, vetë Brukseli kërkoi që Shqipëria t’i referohet Këshillit të Europës për çështjen e projektligjeve. Komisioni Europian u shpreh sërish i pakënaqur me mungesën e reflektimit nga qeveria shqiptare.

 

Por mbrëmja nuk ishte mbyllur ende, kur përfaqësuesi për Lirinë e Medias në OSBE, Harlem Desir postoi një mesazh që i turbulloi ujërat. Mesazhi me kuptim të dyfishtë, nënkuptonte se Desir mund të jepte dritën jeshile për nismën kontroverse të qeverisë, pasi asaj i ishin bërë disa ndryshime, të cilat megjithatë nuk shkonin te thelbi i problemit.

 

Me të drejtë, dikush vuri re se Harlem Desir po komunikonte nga llogaria e tij personale në rrjetet sociale. Asnjë deklaratë nuk u lëshua publikisht nga OSBE. Asgjë nuk u tha nga zyra e tyre në Tiranë apo në Vjenë.

Me fjalën e Desir, qeveria nxitoi të mërkurën të kalojë projektligjet për votim në Kuvend, pavarësisht zemërimit të gazetarëve dhe protestës së tyre, që gjeti simpatinë dhe mbështetjen e mediave më të mëdha në botë, që nga Nju Jork Tajms e me radhë.

Por kush është Desir, njeriu që lejoi vendosjen e censurës në Shqipëri?

Francezi ka qenë ish-sekretar i parë i Partisë Socialiste franceze. Kur kjo parti po njihte ditët më të zeza, ai arriti të sigurojë një nga postet më të mira në OSBE. Më të mira sidomos sa i përket pagesës.

Gazeta ‘L’Opinion’ në Francë shkruan se ai merr plot 122.195 euro në vit, të pataksuar. Me fjalë të tjera, një pagë e ngjashme me atë të nënsekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Por nëse mendoni se paga e tij nuk do dalë nga xhepat e shqiptarëve, gaboheni. OSBE është një institucion që i merr fondet nga të gjithë vendet anëtare, dmth edhe nga Shqipëria.

Harlem po ashtu ka miqtë e tij në Tiranë dhe e ka vizituar disa herë kur ishte Sekretar për Çështjet Europiane.

Teksa për Maqedoninë e Veriut, Desir ofron vetërregullim të medias dhe i përshëndet këto nisma, ai në Shqipëri përkrahu një projektligj që ka tronditur të huajt dhe vendas.

Nuk është çudi se përse Maqedonia e Veriut na parakalon kur bie fjala për integrimin. Ironia është se po paguajmë shtrenjtë me paratë tona vendosjen e censurës.

Modifikuar më E Enjte, 19 December 2019 08:46
Login to post comments