Duke komentuar deklaratën e Ramës se çdo hap të reformës në drejtësi, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese e ka bërë në konsultë me partnerët, presidenti Meta e konsideron një turp nëse ndërkombëtarët janë tallur duke lënë pa gjykatë vendin tre vjet për të nxjerrë Dvoranin në krye.
I ftuar në “360 Gradë” në RTV Ora, Meta foli edhe për ata ndërkombëtarë që Rama i ka futur në xhep sipas tij, dhe për këtë ju referua zgjedhjes me 69 vota të kryeprokures së përkohshme.
Fajëson edhe opozitës, që sipas tij nuk i denoncon me emra.
Ilir Meta: Cilët ndërkombëtarë? Turp të kenë ata, edhe ky bashkë me ta, që nuk kanë respekt për Kushtetutën që votuan me 140 vota në Parlamentin e Shqipërisë. Turp të kenë ata ndërkombëtarë, turp të ketë dhe opozita që nuk ua thotë emrat, se opozita thotë se fajin e kanë ata që nuk votuan 7 ligjet për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, nuk është ashtu.
Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm u zgjiodh në kundërshtim të qartë me Kushtetutën dhe nga ata lloj ndërkombëtarësh që ky e di sesi i ka futur në xhepin e vet. Dhe këto ishin rezultatet e Prokurorisë në dy vjet që keni parë ju, ashtu u tha atëherë që do të bëheshin suksese shumë të mëdha.
Po të mos jepnin vërtetimin mashtrues që është antikushtetues që i lejoi për ta zgjedhur me 69 vota nuk ndodhte ajo maskaradë. Ky thotë se edhe këtë maskaradën me Dvoranin e ka bërë me ndërkombëtarët, se kështu tha bashkë me partnerët tanë, nëse e kanë bërë akoma më turp.
Të tallen, të lënë një vend pa Kushtetutë tre vjet vetëm që të vijë Dvorani në krye dhe Dvorani pastaj në mënyrë të paligjshme ti rrëmbejë kompetencën kushtetuese Presidentit. Kam qenë dhe jam njeriu që i kam respektuar më shumë ndërkombëtarët kur sillen si partnerë, por nëse një palaço diplomat sillet si pushtues unë do ta trajtoj si pushtetues dhe do ti them edhe popullit shqiptar ta trrajtojë si pushtues.