Kryeministri Edi Rama ka hyrë në burg sot, me rastin e Vitit të Ri. Së bashku me Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Rama shkoi në Burgun e Grave në Tiranë dhe bashkëbisedoi me të dënuarat. Kjo vizitë erdhi pasi qeveria amnistoi 56 gra me rastin e fundvitit: 28 u liruan menjëherë dhe 28 të tjerave iu ul dënimi. Kurse, grave që do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli, Rama u premtoi se do të bënte çmos për t’ua lehtësuar kushtet e qendrimit.
Po ashtu, Rama vërejti edhe diçka, dukeu zhveshur nga kostumi i kryeministrit. “Unë jam piktor, - tha ai ndër të tjera dhe kur erdha, - pashë një pikturë aty në cep, që ishte kryevepër dhe sapo të më shitte një pikturë imja, do të blej atë pikturë. Jo për bamirësi, por se është kryevepër. Dhe ajo aty më poshtë, nëse do të stampohej në një libër të një autori të njohur, do të duhej shumë për të kuptuar që nuk është një vepër e piktorëve të njohur.
Herën tjetër do të vij të bashkëbisedojmë por me më pak kamera, se me këtë pamje gjysëm prifti e gjysëm hoxhe, do ta keni më të lehtë të rrëfeheni pa to,” tha Kryeministri në përfundim.