Nga Klodian Tomorri
Politika fiskale nuk është lojë kukudhësh
Tarifa e pastrimit për familjet e kryeqytetit do të rritet me 750 lekë vitin e ardhshëm. Nga 5 mijë lekë në vit që paguhet tani shkon 5750 lekë në vit.
Për bizneset e vogla me xhiro deri në 2 milionë lekë tarifa barazohet me familjarët. Deri më tani këta kanë paguar 3500 lekë në vit. Megjithatë në rastin e biznesit ka kompesim sepse ulet taksa e arsimit. Dmth barra finale nuk rritet.
Tani problemi nuk është se pse rritet tarifa e pastrimit. E para është një rritje e papërfillshme 750 lekë në vit. E dyta, është një tarifë që nuk është ndryshuar prej 20 vitesh dhe ka sens të indeksohet sepse normalisht mund të ketë rritje të kostove. Ndërsa në rastin e biznesit të vogël nuk ishte normale që të paguhej më pak se familjet.
Problemi është se pse rriten fshehurazi. Paketa e re fiskale u votua pardje. U transmetua live nga të gjitha mediat e vendit mbledhja e Këshillit Bashkiak. E pa ndonjëri lajmin se sa u rrit tarifa e pastrimit? E mori vesh njeri cila tarifë apo taksë ndryshoi? Asnjë media nuk e kishte. Dhe nuk është faji i mediave.
Unë që kam akses të privilegjuar në informacion për shkak të profesionit dhe njohjeve më është dashur gjysmë dite ta marr vesh ça u rrit dhe ça jo. Ex post, pasi ishte votuar vendimi.
Kjo nuk është normale fare. Nuk ndryshohen taksat fshehurazi se është çmenduri. Këshilli Bashkiak nuk është Këshill Kukudhësh qe merr vendime fshehurazi. Taksat propozohen, konsultohen, diskutohen dhe në fund votohen.
Politika fiskale duhet të jetë transparente. E para tregon përgjegjshmëri ndaj qytetareve. E dyta, e bën më të pranueshëm vendimin në publik. E treta, duket shëmtuar kur ndryshon taksa fshehurazi.