Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shpërndarë në adresën zyrtare në Facebook, pjesë nga fjalimi i Konventës së Tiranës, që u mbajt ditën e shtunë. Në mesazhin e përzgjedhur nga kryetarja e LSI theksohet se viti 2020 do të jetë viti i fitores dhe rezistencës qytetare.
“Viti që sapo kemi hyrë, 2020 do të jetë viti i rezistencës dhe i fitores së padiskutueshme në përballjen tonë me klanin e tradhtarëve të interesave kombëtare, me grupet e hajdutëve të votave, me uzurpatorët dhe shkatërruesit e ekonomisë së vendit, me krimin që ka fytyrën e rilindjes, sepse ne jemi sot shumica absolute e padiskutueshme e shqiptarëve. Kjo sëmundje e rëndë, e cila po gërryen dhe po asfikson, po i merr frymën, po e mpak dhe po e mplak Shqipërinë, ndaj është detyrë patriotike e çdo shqiptari, për të kontribuar në shërimin e kësaj të keqeje”,- shprehet Kryemadhi.
Kryetarja e LSI shton se “çdo orë dhe minutë është shumë e çmuar, prandaj për asnjë çast nuk mund të flemë të qetë përballë Shqipërisë që lëngon. Çdo sakrificë e jona nuk është asgjë për të shpëtuar Shqipërinë nga sëmundja e rilindjes. Ne së bashku do ta fitojmë pa asnjë diskutim përballjen me të, sepse kemi shpirtin, kemi forcën, kemi idenë, kemi zgjidhjen, sepse ne sot jemi shumicë absolute e shqiptarëve që duan dhe kemi vendosur Shqipërinë të parën”.