Nga Ilir Nikolla
Në ligjërimin politik të fillimit të 2020-s po hyn me shpejtësi shprehja “fundi i armëpushimit”, duke ju referuar detantës politike pas tërmetit të 26 nëntorit. Që të gjithë vëzhguesit lavdëruan sjelljen e opozitës pas atij tërmeti, e cila u bë një mbështetje e fortë për çfarëdo strukture a organizate që kishte në dorë të bënte diçka për kapërcimin e emergjencës humanitare. Ajo u bë zëri i nevojtarëve që s’shihnin dorën e shtetit, u bë zëri i atyre që s’kishin kohë të prisnin ndihmën e avashtë që pritej të vinte prej shtetit dhe u bë sëri pari monitoruesja kryesore për menazhimin e fondeve që mund të bëhen rrush e kumbulla prej pushtetit.
Kaq e thjeshtë ishte sjellja e opozitës në Shqipëri nga 26 nëntori e deri në fund të vitit 2019, pra për pak më shumë se një muaj.
Me nisjen e vitit 2020, kur kryeministri në detyrë edhe ka shpallur se çfarëdo emergjence që ka lidhje me tërmetin është kapërcyer e tashmë hapi pasardhës është veç konferenca e donatorëve dhe nisja e ndërtimit të lagjeve të reja me banesa, për të cilat çuditërisht Edi Rama kishte gati edhe arkitektët, edhe projektet, edhe çmimet e banesave, arsyeja e shëndoshë imponon kthimin e politikës në brazdat normale. Me fjalë të tjera, ky “armëpushim” mund të quhet i përfunduar, edhe për vullnet të vetë kryeministrit, dhe tani opinioni publik duhet të rinisë të merret me hallin e madh, me largimin e xhenazes politike që vrarë zgjedhjet e lira, ka izoluar vendin nga BE dhe që po rrezikon të ardhmen e vendit me aventura gjeopolitike filo-orientale. Bundestagu na ka dhënë një hartë rruge se si bëhet kjo punë dhe opozita e ka shpallur si kalë beteje këtë kauzë.
Por fiks për të shmangur këtë hartë rruge, për të mos folur më as për 2017-n, as për kanabizimin e 2016-s e as për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër operacionale të shumë strukturave të krimit të organizuar, kryeministri Rama shpalli dy ditë më parë refrenin “2020-a do të jetë një vit edhe më i suksesshëm sesa 2019-a”, shoqëruar me profecinë “e di se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet e 2021-it”. Deklarimet e Ramës nuk janë marrina, janë parakushte politike, janë një lexim i post-armëpushimit, janë njëfarë përpjekjeje për të imponuar një pozicion më të fortë në vitin politik 2020, që sërish arsyeja e shëndoshë e parashikon se do të jetë për të shumë më i vështirë sesa ai i protestave masive të 2019-s.
Fillimi i vitit politik ka rëndësinë e vet, prandaj edhe publiku duhet të sqarohet njëherë e mirë, qoftë për përfundimin formal të “armëpushimit të tërmetit”, qoftë për kalendarin politik të 2020. Xhenazja politike që i ka zënë bashin e vendit hapësirës publike dhe po kundërmon korrupsion, vjedhje e epidemi krimesh, s’largohet me konspiracion. Askush s’ja ka nevojën konspiracionit, prandaj edhe publiku s’ka nevojë ta hajë karremin e Edi Ramës për një dans konspiracionesh politike në vitin 2020, me shpresën se do të mbërrihet disi në stacionin normal të zgjedhjeve (ose sa më pranë këtij afati kohor).
2020-a do të jetë një vit i frontit që çliron vendin nga xhenazja e izolimit dhe dihet se fronti s’vepron me konspiracion poshtë tavolinës. Kjo pallavër duhet shkërmoqur që në ditët e para të vitit. Pas armëpushimit të tërmetit vjen një Front bashkimi, dhe ai natyrisht s’ka nevojë të hutohet nga kurrfarë dizenjimi në formatin 3D “kur do flasim?”.