Meta mbështet referendumin: Pro çdo zgjidhjeje që lidh deputetin me qytetarin

Tuesday, 07 Janar 2020 22:34

Presidenti Ilir Meta thotë se është për çdo zgjidhje që lidh deputetin me qytetarin.

Nëqoftëse sistemi funksionon, shton ai,  politika do të bëhet e përgjegjshme.

Në "Tempora" ai thotë se nuk beson më tek dialogu politik në Shqipëri, ndaj zgjidhjen e sheh te referendumi për ndryshimet kushtetuese.

Meta: Kontestimi në Shqipëri nuk ka ardhur për shkak të reformës. Ajo ka problemet e veta. Ka ardhur për shkak të mungesës së vullnetit politik për të bërë zgjedhje të lira dhe demokratike ose për të njohur humbjen në zgjedhjet normale. Problemi kryesor është nëse si qeveri apo pushtet ke vullnet ta deformosh këtë rezultat të votuesve me të gjitha format. Ti mund ta bësh pavarësisht çdo sistemi. Në këtë drejtim reforma është e rëndësishme derisa është kusht, patjetër. Për bindjen time të përhershme duhet të ketë një lidhje të drejtëpërdrejtë të qytetarit me deputetin me emrin konkret, jo vetëm me partinë. Sepse kjo do t'i japi një tjetër dimension ose do t'i rikthejë dimension parlamentit. Unë jam për çdo zgjidhje që e lidh deputetin me qytetarin.

Meço: Ju kërkoni një hapje të partive?

Meta: Që në ndryshimet që u bënë në 2008. Problemi kryesor që ne kemi dhe që kulmoi gjatë vitit të kaluar është që ne kemi një sistem politik dhe institucional në vend që ka dalë nga kontrolli i qytetarëve. Dhe zgjidhja ime ka qenë përveç përpjekjeve që bëra për të evituar jo vetëm përplasjen dhe konfrontimin. Por unë kam qenë i hapur, u kam thënë hajdeni, edhe unë vetë jam gati që t'i nënshtrohem një votimi nga qytetarët si President edhe pse kam gjysmën e mandatit ende pa e konsumuar.

Meço: Qytetarët mendojnë edhe tjetrën.

Meta: Nëqoftëse sistemi funksionon politika do të bëhet e përgjegjshme dhe nëse është qytetari që do të kontrollojë politikën, nëse një politikan vjen dhe nuk mban premtimet ai do të ndëshkohet nga qytetari. Nëqoftëse sistemi kapet bëhet e pamundur ndryshimi i sistemit përmes votës së qytetarëve.

Meço: Qytetari mos të jetë nesër pasnesër siç është tani….

Meta: Sikurse e kam theksuar edhe më parë nuk besoj më tek dialogu politik në Shqipëri. Është një gjë e sforcuar. Ne kemi parë në 30 vite. Kjo është një gjë që tregon një mungesë përgjegjshmërie ndaj vendit dhe qytetarëve për të marrë përgjegjësi për çështjet e mëdha të vendit përtej atyre ku ndahet pushteti, interesat e shtetit, interesat kombëtare. E vetmja rrugë që kjo klasë politike apo ajo që do të vijë të bëhet e përgjegjshme është që qytetarët të marrin kontrollin e sistemit dhe unë për këtë shikoj të zbatohet e të bëhet ligji në respekt të vendimit që kanë marrë vetë qytetarët shqiptarë në referendumin për Kushtetutën në '98 për të aplikuar të drejtën e tyre për referendum. Kjo është rruga që do t'i detyrojë partitë, politikanët që të mos marrin iniciativa të bëjnë ligje që cënojnë interesin e qytetarit. Demokracia është kur qytetari kontrollon politikën.

Login to post comments