Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka marrë një mbështetje të re të rëndësishme në kauzën e saj për mbrojtjen e godinës historike. Mbështetja ka ardhur nga ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad dhe që do të pasohet në muajt në vijim, edhe nga ardhja në Tiranë e një trupe teatrore suedeze.
Aleanca njoftoi para pak minutash për këtë takim plot shpresë: “Pas takimit me zonjën Elsa Hastad, ambasadore e Suedisë në Shqipëri. Jemi të mrekulluar nga thellësia njerëzore, përgatitja kulturore, njohja e gatishmëria e saj për të na dëgjuar. Jemi të lumtur që mund të shpërndajmë rezultatin kryesor të këtij takimi:
Kemi mbështetjen e ambasadores Hastad për qëndresën tonë për Teatrin Kombëtar dhe Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit dhe vlerësimin për arritjen që kemi pasur me Europa Nostra. Kjo që ne po bëjmë është një luftë e vërtetë kulturore. Së shpejti shpresojmë që të mirëpresim një trupë suedeze me një shfaqje në Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit.”