Belind Këlliçi, kryetari i FRPD, ka radhitur disa akuza pse kryebashkiaku i Tiranës meriton të jetë sot para drejtësisë dhe madje të hetohet nga organi më i lartë i saj, SPAK.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Këlliçi i sugjeron se puna e SPAK duhet të nisë me megaskandalet e Veliajt para se të vazhdohet, nëse synohet të fitohet vërtet besimi i qytetarëve.
Këlliçi shkruan: “Erjon Veliaj duhej të ishte sot para drejtësisë për vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj!
Erjon Veliaj duhet të ishte para drejtësisë për pastrim parash me lejet e ndërtimit në Tiranë.
Erjon Veliaj duhej të ishte para drejtësisë për aferat korruptive me të cilat po u merr pronën qytetarëve, për t’ia dhënë klientëve e personave me rekorde kriminale.
Afera miliona euroshe e Unazës së Re është veç maja e ajsbergut e aferave korruptive përgjegjëse për të cilat qëndron Rilindja e për të cilat sakrifikon çdo ditë jetën dhe pronën e shqiptarëve.
SPAK dhe Prokuroria, nëse do që të fitojë besimin e qytetarëve dhe opinionit publik, duhet ta nisë punën pikërisht me këto megaskandale korrupsioni, që rëndojnë çdo ditë e më shumë xhepin e qytetarëve dhe kanë shuar shpresën e të rinjve për të qëndruar në vend!”