Prej kohësh, politikës shqiptare i ishte bërë presion që të zgjidhte çështjen e reformës zgjedhore në mënyrë konsensuale. Rezoluta e parlamentit gjerman, Bundestag, e kërkonte me ngulm këtë reformë gjithëpërfshirëse brenda pranverës së vitit 2020.
Në pritje të samitit të majit në Zagreb, kur do diskutohet për mundësinë që Shqipërisë t’i hapen negociatat, PS vazhdoi për muaj të tërë duke mos e marrë seriozisht reformën zgjedhore.
Ngërçi i paraqitur prej tyre lidhej me faktin se opozita nuk është në parlament.
Por pas katër muajsh presioni nga ndërkombëtarët, mazhoranca është tërhequr dhe ka pranuar një formulë, të cilën e kanë quajtur Këshilli Politik, e cila i jep zgjidhje problemit të mungesës së opozitës në Kuvend.
Më pak fjalë, përfaqësuesit e opozitës dhe të mazhorancës takohen në një tryezë, e cila do të diskutojë dhe do të miratojë reformën zgjedhore. Kur palët nuk gjejnë dakordësi, ata do të kërkojnë ndihmën e ekspertëve të OSBE/ODIHR.
Pasi e gjithë reforma do të miratohet e dakordësuar në këtë Këshill, ajo do të shkojë në parlament thjesht për të kaluar në procedurë miratimi. Mazhoranca është zotuar se nuk do ketë asnjë ndryshim në reformën që do u vijë nga Këshilli Politik.
aKjo arritje, e ardhur kryesisht pas presionit të ambasadave të SHBA, BE dhe Britanisë ndaj mazhorancës, shënon një hap të rëndësishëm që vë në vijë zbatimi një nga kushtet e Bundestagut, me besimin se zgjedhjet e reja nuk do të jenë larg.