‘Basha ia doli të deligjitimojë institucionet, tani priten zgjedhjet...’

E mërkurë, 15 Janar 2020 13:39

Ngritja e Këshillit Politik, që do të punojë për Reformën Zgjedhore, është pritur nga një valë reagimesh në media. Pavarësisht qëndrimeve, analistët bien dakord për dy gjëra. E para, që opozita ia doli të delegjitimojë Kuvendin dhe institucionet e tjera. E dyta, që vendi po i afrohet më shumë zgjedhjeve të parakohshme.

Analisti Agron Gjekmarkaj, në një shkrim për Panoramën, thekson se ata që e sulmojnë kreun e opozitës, Lulzim Basha, janë paterica të Edi Ramës.

Sipas tij, marrëveshja e 17 majit nuk ka lidhje me uljen në bisedime të Këshillit Politik. Duke iu referuar rezolutës së Bundestagut gjerman dhe kushteve të vendosur, Gjekmarkaj shkruan: “Një nga këto pika është Reforma Zgjedhore si hap i parë për një proces më të mirë zgjedhjesh dhe rregullat e lojës në çdo vend shkruhen bashkë me kundërshtarin. Ndaj, fotografia e kuartetit bashkë me lajmin që e shoqëroi nuk është kataklizmi. Në këtë pikë, sulmet që i bëhen Lulzim Bashës nga ata që u bënë patericat e Edi Ramës në votimet e 30 qershorit, janë thjesht një përpjekje për të fshehur bashkëpunimin e tyre me Kryeministrin tamahqar në përdorim renegatësh. Marrëveshja e majit 2017 dhe ulja në bisedime për këtë reformë nuk kanë asnjë lidhje të dukshme. Opozita ka detyrimin etik të ketë një tezë dhe një qëndrim të vetin për sistemin zgjedhor, ta mbrojë dhe ta shpjegojë atë mes debatit për lista të mbyllura e të hapura”.

“Ndërkohë, Basha, ndonëse me çmimin e lartë të sakrificës, ia doli të delegjitimojë institucionet dhe ta kalojë vendimmarrjen në tryezën jashtë Parlamentit. Opozita tregoi forcën e saj, duke iu imponuar maxhorances për të arritur një pjesë të qëllimeve të saj përmes Reformës Zgjedhore!

Përfundimi i Reformës Zgjedhore, më 15 mars, i hap rrugë teorikisht zgjedhjeve më me standarde e mundësisë që ato të jenë të parakohshme, mundësi që do të nxiten apo stopohen edhe nga Juri Kim, ambasadorja e re e SHBA-ve në vendin tonë. Nga ana tjetër, pamja e qeshur e Damian Gjiknurit, mecenat të “çunave problematikë të Dibrës”, “hero” epik i dosjes së këtij qyteti, nuk është një ogur i mirë. Ndoshta, opozita do duhej ta tërhiqte pak më shumë litarin para se të ulej krah tij”.

Login to post comments