Ish-deputeti Astrit Patozi komenton me tone ironike tryezën e përbashkët politike për Reformën Zgjedhore.
Në një postim të gjatë në “Facebook”, të cilin e nis me fjalët “të gjithë në paqe, duke përgatitur luftën”, Patozi shkruan se “përfituesit kryesorë të këtij sistemi politik i kanë ulur përkohësisht armët dhe po konsumojnë me durim një moment idilik pauze, deri sa ta mbyllin me sukses kapakun e mosndryshimit”.
Mesazhi i Patozit:
TË GJITHË NË PAQE DUKE PËRGATITUR LUFTËN
Të gjithë po shfaqen të qetësuar dhe tonet janë ulur ndjeshëm, ndonëse asgjë domethënëse nuk ka ndodhur që kjo paqe e çuditshme dhe e papritur të konsiderohej si pasojë.
Lideri global ka marrë një pamje shenjtori, që na gostit çdo mëngjes me pasazhe të Biblës dhe të Kuranit, duke na ftuar që të çlirohemi prej djallit dhe t’i përkushtohemi virtyteve për të marshuar të qetë drejt parajsës. Është kaq i sigurt për ato që thotë, sa të krijon përshtypjen se vetë e ka kaluar me sukses atë rrugë dhe thjesht do të na e mësojë edhe ne të tjerëve, si udhëheqës që e kemi, megjithëse jo të gjithë e kemi zgjedhur.
Ai ngjan të jetë më shumë nervoz me Rudina Hajdarin në parlament, sesa me udhëheqësit e revolucionit që nuk shkrepi, të cilët vetëm pak kohë më parë e kërkonin me të gjitha format jodemokratike kokën e tij në sini.
Edhe Presidenti duket shumë në formë dhe i relaksuar. Dikur kërkonte me qiri rastet për të sulmuar me shkak dhe pa shkak qeverinë, ndërsa tani ka nisur gjuetinë e mundësive për ta përshëndetur mazhorancën. Dhe nuk thonë kot se kush kërkon, gjen gjithmonë.
Nuk ka më sokëllima lufte dhe as premtime për vetëvrasje në mbrojtje të kushtetutës, por ngjan më shumë si një rikthim i kohërave të dikurshme, kur predikohej “qetësia dhe dashuria”.
Në cepin tjetër, lideri i dy revolucioneve të mbetura në tentativë ka vendosur të bëjë qingjin e urtë, që pi dy nëna. Si fillim ka vendosur që të mos dalë në televizor, me idenë se populli do ta lexojë si modesti. Një Zot e di se si e përmban veten dhe nuk e kap euforia për gjithë ato fitore të njëpasnjëshme, 85 përqind e lart, që nuk u mbarokan kurrë. Por mbi të gjitha, si e mposht tundimin që sidomos triumfin e fundit nuk po e shpjegon vetë, por ua ka lënë ta bëjnë vartësve të vet.
Edhe analistët zhurmëmëdhenj duket se janë zbutur ndjeshëm, me përjashime të rralla të ndonjë rebeli të përjetshëm, gjë që e përforcon edhe më shumë rregullin.
Janë harruar britmat dhe betimet luftarake dhe të gjithë duket se i kanë hipur me dëshirë kalit që i çon drejt Gjykatës Kushtetutuese, megjithëse ajo nuk është krijuar ende, por sidomos trenit të Komisionit të Venecias, si asnjëherë tjetër më parë. Duke krijuar iluzionin e rremë se të gjithë sherrxhinjtë e famshëm të Republikës u janë nënshtruar rregullave të shtetit ligjor në një vend normal demokratik.
Ndërkohë, që në sfondin e kësaj natyre të qetë shkëlqen prej disa ditësh buzëqeshja e sinqertë dhe e përmbajtur e duetit Gjiknuri-Bylykbashi, e cila në fakt është edhe arsyeja e vërtetë e kësaj qetësie para furtunës.
Sepse të shpon hundët era e rëndë e një dakordësie djallëzore për të mos e trazuar kënetën, që mban në këmbë dhe e ushqen regjimin e kalbur të kryetarokracisë, i cili sundon prej shumë vitesh me thundër të hekurt ne Shqipëri. Ndaj edhe përfituesit kryesorë të këtij sistemi politik i kanë ulur përkohësisht armët dhe po konsumojnë me durim një moment idilik pauze, deri sa ta mbyllin me sukses kapakun e mosndryshimit.
E di se do të jetë shumë e vështirë për të bindur konspiracionistët, që do ta shpjegojnë me teoritë e veta këtë që po ndodh. Dikush me një pazar për ndarje afatgjatë të tortës së pushtetit, dikush tjetër me mbylljen e disa dosjeve përvëluese, ndërsa më skeptikët thjesht me ndarje parash të pista korrupsioni, përmes tenderash apo prokurimesh që i bën dhuratë qeveria. Nuk kam asnjë motiv për t’i hedhur poshtë këto pretendime dhe aq më pak të bëj debat me ata që e gjykojnë ashtu.
Por, personalisht, mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë marrëveshje me të tjerët për të rënë dakord që të ruash interesa të mëdha dhe të përbashkëta me ta. Në Shqipëri sot ka një dakordësim të qartë të bashkëautorëve të këtij degradimi politik për të ruajtur privilegjet e veta, i cili mund të ndodhë edhe në distancë.
Problemi është se kjo paqe e papritur dhe e pashpjegueshme nuk mund të vazhdojë gjatë. Është jashtë çdo dyshimi se do të biem shumë shpejt në krizë dhe do të rikthehen sërish daullet e luftës, menjëherë sapo bashkëfajtorët e urtësuar sot si me magji t’i hedhin lopatën e fundit me dhe’ përpjekjes për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.