Pas zyrës së BE-së në Tiranë, edhe ambasada amerikane reagon mbi Ligjin Anti-KÇK, duke nënvizuar se pavarësisht mbështetjes ndaj qeverisë për të luftuar krimin, mekanizmat e përforcuar duhet të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë.
Ambasada thekson gjithashtu se këto ligje duhet të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor, duke paralajmëruar se do ta ndjekë nga afër zbatimin e këtij ligji.
Deklarata e plotë:
Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh.