Hapja e negociatave, Sassoli: Po presim ndryshime në metodologjinë e pranimit

Hënë, 03 February 2020 13:03

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, që ka nisur një vizitë dyditore në Tiranë, ka dhënë në mesditë një konferencë shtypi të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama. Vizita e tij ndodh dy javë para Konferencës së Donatorëve për Rindërtimin nga Tërmeti në Bruksel si dhe në kushtet kur Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE-në.

“Do të jetë e vështirë të shërojmë plagët e njerëzve, por porsa i përket anës materiale, do të punojmë bashkarisht me kurajo,” tha Sassoli.

Lidhur me procesin e anëtarësimit të vendit në BE, Sassoli vërejti se:

“Ne e dimë që pozicioni i disa qeverive ishte që të rishikohej metodologjia e proceseve të anëtarësimit. Para disa ditësh unë takova si kryetarin e KE, ashtu dhe të KiE-s që  më konfirmuan që ditët e ardhshme do të kemi një propozim për ndryshime dhe për PE-në kjo na bën të shpresojmë që pasi të jenë kapërcyer disa çështje që kanë të bëjnë me metodologjinë, procesi mund të fillojë me shpejtësi.

Sa për Paketën, duhet që ajo të ecë njëkohësisht dhe ka të bëjë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e pasi të jenë kapërcyer disa mekanizma, vërejtjet do të rishiten.”

Sassoli solli si model në luftën kundër krimit të organizuar, luftën që ka zhvilluar Italia.

Login to post comments