Rama shet arritjet e Bashes si te vetat

E Enjte, 06 February 2020 14:04

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi sot ligjin e dekriminalizimit si një armë në dorën  e shtetit për të mos lejuar që persona me të shkuar kriminale të zgjidhen në poste të rëndësishme.

Duke folur në Këshillin e Atlantikut, Rama tha se këtë ligj e ka hartuar në bashkëpunim me ‘miqtë amerikanë’:

“Me ndihmën dhe nxitjen e miqve amerikanë hartuam një akt ligjor, që quhet ligji për dekriminalizimin, ku ka një kontroll të imtësishëm për të gjithë, të cilët nuk mund të zgjidhen, nëse kanë të shkuar kriminale.”

Duket se kryeministri Rama po përpiqet t’i tregojë ndërkombëtarëve se qeveria e tij po e lufton krimin, duke e shitur ligjin e dekriminalizimit si një nismë të qeverisë së tij për të penguar kriminelët të marrin poste të rëndësishme.

Deklarata e Kryeministrit Rama duket e pasaktë, hipokrite dhe ironike.

Ligji për dekriminalizimin ka qenë një nismë e Partisë Demokratike e nisur në vitin 2014, si një tentativë për të dekriminalizuar parlamentin. PD hartoi një draftligj i cili ndalonte kandidimin e personave të inkriminuar që të punësoheshin në administrate dhe të zgjidheshin në poste publike. Në të përfshiheshin rreth 80 vepra të ndryshme penale, të cilat u ndalojnë individëve pjesëmarrjen në jetën publike.

Pas shumë kundërshtimesh dhe amendimesh nga shumica socialiste, ligji u miratua në kuvend në fund të vitit 2015.

Në maj të vitit 2016, Kryeministri Edi Rama e quajti ‘një lojë’ ligjin e dekriminalizmit dhe u shpreh i bindur se PS nuk ka asnjë të inkriminuar në mesin e saj:

“[Ligji i dekriminalizimit tregoi që] ne jemi thjeshtë më të mirët sepse besojmë në disa vlera dhe parime që e bëjnë të majtën një forcë progresive dhe që ka epërsi në këtë territor.

Është ligji ai që vendos se kush janë ata që nuk e meritojnë të qëndrojnë aty dhe kush mund të qëndrojë dhe fakti që asnjë deputet dhe i zgjedhur i PS nuk cënohet nga ky ligj tregon që kemi qenë të hapur, të vërtetë.

Tani është e qartë që jemi në kushtet e Sudes kur doli dhe tha që kjo ishte loja, me ndryshimin që tek SHQUP-i nuk po del njeri dhe të thotë që kjo ishte loja, por faktikisht njerëzit e kanë kuptuar që kjo ishte një lojë.”

Me fillimin e zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, në të vërtëtë ishte Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar dhe kryebashkiakët e saj ata që u prekën më shumë.

Kështu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vitin 2016 i hoqi mandatin kryebashkiakut socialist të Kavajës Elvis Rroshi,  i dënuar më parë për vepra penale në Itali e Zvicër.

Në shkurt 2017, prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin Armando Prenga (PS) për precedentë të mëparshëm penal. Prenga, pak ditë pas kërkesës, dha dorëheqjen duke mos lënë KQZ-në të vendosë për të.

Në prill 2017, prokuroria kërkoi dhe heqjen e mandatit për deputetin socialist të Qarkut Gjirokastër, Vladimir Kosta, pasi u zbulua se ai kishte fshehur një dënim për armë mbajtje pa leje.

Megjithesë se tashmë ishte vërtetuar se ligji i dekriminalizimit po zbatohej, Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste kandiduan në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 të paktën 5 kandidatë të verifikuar deri më tani që janë në shkelje të këtij ligji, pasi kanë fshehur dënimet e marra në të shkuarën.

  1. Valdrin Pjetri i Shkodrës;
  2. Agim Kajmaku i Vorës;
  3. Mark Babani i Vaut të Dejës;
  4. Qerim Ismailaj i Mallakastrës;
  5. Agron Malaj i Matit.

Ndërkohë PD ka lajmëruar se po verifikon dhe 10 kryebashkiakë të tjerë që dyshohet se janë në kushtet e ndalimit të kandidimit dhe në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, mes tyre dhe një kryebashkiak në qarkun e Tiranës. 

Login to post comments