Bardhok Pllanaj, të cilit ditën e sotme `OFL` i ka dërguar formularin e auto-verifikimit të pasurisë, 6 vite më parë është shpëtuar nga arrestimi prej ish-deputetit të Rilindjes, Mark Frroku dhe shefat e Policisë së Tiranës.
Ngjarja, e cila bëri bujë në atë kohë, pasi policia e mbajti të fshehtë, ka ndodhur më datat 1 dhe 2 tetor të vitit 2014.
Vetëm pasi media zbuloi një dokument të mbajtur sekret nga policia, u mësua se si Pllanaj i kërkuar si trafikant i madh droge, gjatë operacionit ‘Viluni’, ku u kapën në Mal të Zi rreth 800 kg kanabis, kishte `çarë` postbllokun, duke qenë brenda makinës së deputetit Frroku
Edhe pse policia shqiptare ka pasur dijeni për këtë fakt, prej saj nuk u bërë publik emri i deputetit të mazhorancës, në makinën e të cilit ishte fshehur Pllanaj. Jo vetëm kaq, por duke qenë në dijeni, prej më shumë se 5 muajsh ai nuk u thirr për t’u pyetur asnjëherë nga policia dhe nga prokuroria.
Në procesverbalin e zbardhur vetëm nga media në atë kohë, duket qartë se grupi i operacioneve speciale në Policinë e Shtetit, me autorizim të Prokurorisë për Krime të Rënda, po vëzhgonte prej kohësh të dyshuarin Pllanaj.
Sipas raportit të dorëzuar nga agjentët e vëzhgimit, thuhet se Pllanaj gjatë gjithë ditës së 1 tetorit 2014 ishte nën vëzhgim, ku përshkruhen me detaje lëvizjet e tij, makinat që ka ndërruar si dhe lokalet që ka frekuentuar. Vetëm në darkë, referuar këtij procesverbali, i dyshuari është afruar në lokalin ‘Antika’ tek Shallvaret me makinën e deputetit Mark Frroku.
Rreth orës 1 pas mesnate të datës 2 tetor, makina e deputeti Frroku është nisur në drejtim të Laprakës, ku policia, nga frika e largimit të personit të shpallur në kërkim, organizoi një postbllok në Kamzë, pranë Bulavardit Blu.
Në momentin që makina afrohet, policia e ndalon atë, por nuk mundet të hapë dyert që ishin të bllokuara nga brenda.
‘…Rreth dy minuta automjeti ka qëndruar pa lëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40-45 vjeç i veshur me kostum ngjyrë blu e errët është prezantuar si deputet i parlamentit të Shqipërisë me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër te tjera se:
Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të parlamentit pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time’, shkruhet në procesverbalin e policisë, të nënshkruar nga nëntë persona, të cilët më pas e kanë lënë të lirë makinën bashkë me pasagjerët e saj.
Nga ana e policisë i është bërë e ditur deputetit Frroku se personi që ndodhet në makinë duhet të shoqërohet në Drejtorinë e Policisë, por pas kundërshtisë së deputetit Frroku, agjentët e vëzhgimit kanë komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pemën duke e vënë në dijeni për kundërshtimin e deputetit Frroku.
I gjithë ky debat ka zgjatur për më shumë se 20 minuta dhe më pas agjentët janë larguar duke lënë të lirë Bardhok Pllanajn, të cilit sot pas 6 vitesh i dërguan formularin e `Anti-Kçk`.
Referuar hetimeve të prokurorisë për Krime të Rënda në atë kohë, për operacionin e ‘Vilunit’ u arrestuan 7 persona dhe u bllokuar një skaf me rreth 800 kg hashash nga policia malazeze.