“Mos kërkoni degë të lehta sepse do keni të ardhme të vështirë”, këshilla e Metës për të rinjtë: Edukimi cilësor na ndihmon për barazi të vërtetë gjinore

Tuesday, 11 February 2020 15:24

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me pedagoge, studiuese, shkencëtare, inxhiniere dhe vajza të talentuara në shkencat ekzakte. Në fjalën e tij, Meta apeloi për një edukim cilësor i cili na ndihmon për një barazi të vërtetë gjinore.

“Dëshira ime ka qenë për të qenë pedagog, dhe natyrisht kur kam qenë nxënës ishte e vështirë të kishe ëndrra më të mëdha. Kufizimet kanë të bëjnë me objektivat që i vendosni vetes tuaj.

Mos kërkoni degë të lehta sepse do keni të ardhme të vështirë, përqëndrohuni në degë të vështira për të ardhme më të mirë. Globalizimi është një proces i pandalshëm, që vende modeste i rrezikon nëse nuk përfitojnë avantazhet por edhe nuk pregatiten për t’u mbrojtur nga pasojat që krijon një proces i tillë.

Një politikan i njohur spanjoll, Gonzales para disa kohësh tha diçka që më ka mbetur në mendje, e ardhmja nuk është më ajo që ishte. gjerat kanë ndryshuar dhe ne s mund të jemi skematik. Tregu i punës po ndryshon tërësisht dhe kjo kërkon një ndryshim dinamik, për ti paraprirë ndryshimeve të tjera, sistemit arsimor. Kam një apel për të rinjtë, të mos kenë frikë nga matematika, fizika, kimia e degët e tjera, sepse ato mund të bëhen instrumentat më të fuqishëm për një hop cilësor, pa një edukim cilësor, s’mund të ketë një hop cilësor. Edukimi cilësor na ndihmon për një barazi të vërtetë gjinore.

Ndaj dita e vajzave dhe grave në shkencë është shumë e rëndësishme. Vajzat janë shumë më të përgjegjshme se sa djemtë. Futja në këtë rrugë, krijon të gjitha mundësitë për një personalitet shumë më të madh në shoqëri, për vende punë shumë të shpërblyera, për lidership në fusha të caktuara për pavarësi  të plotë në familje e komunitet.

Shpreh mirënjohje për të gjithë mësuesit. Prindërit e mi kanë qenë mësues dhe shpesh, shqetësimet në shkolla ndonjëherë i përjetojnë fëmijët në familje. Puna e tyre është e jashtëzakonshme, duhet shumë përqëndrim, pasion. Sot e kësaj dite kujtoj me pasion mësueset e mia të matematikës. Padyshim që kanë bërë shumë për të patur një sistem sa më të suksesshëm të edukimit. Ne mund të themi 100 të zeza për sistemin komunist, por duhet të pranojmë një fakt që në një kohë të shkurtër u ndërtua një sistem funksional i qëndrueshëm, ku u krijuan gjenerata të tëra të shkencëtarëve.” u shpreh Meta.

Modifikuar më Tuesday, 11 February 2020 15:27
Login to post comments