Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ishte i ftuar në Dita Jonë nga ku foli për situatën aktuale politike dhe sociale në vend. Për Shehin, vendi ndodhet në një rrugë pa krye, kur kjo qeveri ka 7 vite në krye të vendit.
“Kjo qeveri e ka bërë shumicën e rrugës sepse ka 7 vjet. Kjo qeveri e ka futur vendin në një situatë të tillë ku unë mendoj se do të duhet shumë kohë për ta futur vendin në rrugën e duhur. Jemi jashtë Europës, jemi jashtë politikës ballkanike, kemi shkuar mbrapa për sa i përket korrupsionit, jemi mbrapa me emigracionin, prandaj them se jemi në një udhë pa krye”, tha kreu i LZHK.
Më tej, Shehi foli edhe për opozitën, për të cilën pranoi se edhe ajo ka problemet e saja, por në këtë situatë, thotë ai, edhe dreqi do të ishte një alternativë më e mirë.
“Me kaq keq qeverisje që kemi ne sot edhe shejtani dhe dreqi do të ishte alternativë. Unë mendoj se pak më mirë se dreqi ne jemi. Kjo opozitë nuk është shkëlqim, është një opozitë normale. Një pjesë janë edhe ata të ricikluarit e qeverisë Rama, por disa kanë vënë edhe mend”.
Por në këtë situatë, a do të ketë zgjedhje të parakohshme? “Unë besoj se kemi energji mjaftueshëm për ta shtyrë në këtë drejtim. Unë mendoj se është me të vërtetë e domosdoshme. Kjo qeveri, një ditë e më parë të largohet nga pushteti, i bën mirë Shqipërisë”, u shpreh Shehi.