Klevis Balliu, ish-deputeti i PD, në mbrojtje të të drejtave të banorëve të Unazës së re, ka bërë të ditur sot se ata janë njoftuar nga IKMT-jka se ditën e hënë do t’u prishen banesat.
Balliu e ka publikuar këtë lajm bashkë me foton dhe ka reaguar me forcë se këto shembje po ndodhin në një kohë kur për segmentin ku do të shemben banesat, punimet qenë anuluar dhe nuk ishte bërë asnjë tenderim i ri.
Në denoncimin e tij, Balliu shprehet:
Sot IKMT, e shoqëruar nga qindra forca Policie, është sulur në një mision totalisht të paligjshëm për të informuar se ditën e hënë shtëpitë në Lotin 2 në projektin famëkeq të Unazës, ku për 40 milion euro nuk u arrestua askush përveç banorëve, do të shemben.
Loti 2 është i anuluar dhe nuk është bërë një ritenderim, pra nuk ka as kompani as projekt, çka në fakt është e vërtetë për të gjitha lotet.
Por në rastin konkret, nuk ka as një tenderim të projektit. Pra thjesht bëhet fjalë për oreksin e pushtetarëve që të shkatërrojnë shtëpitë e qytetarëve për të ndërtuar kullat e oligarkëve.
Praktikisht shteti po vjedh shtëpitë për të pastruar paratë e drogës me Erion Veliajn, lavatriçen më të madhe të Europës. Ky është një akt i turpshëm barbar, që do të thotë se sot Shqipëria s’ka as ligj, as Kushtetutë dhe as shtet.”