Në kohën e sotme, administrata publike nuk mund të imagjinohet dot pa kompjuterin dhe internetin. Përdorimi i këtij të fundit është ‘ajri’ i punës rutinë në zyrat e shtetit, ndaj edhe investimet në këtë fushë kanë qenë të mëdha vit pas viti.
Nga ana tjetër ofrimi i shërbimeve elektronike për qytetarët është zgjeruar së tepërmi vitet e fundit, ndërkohë që qeveria ka ngritur një rrjet të posaçëm për shpërndarjen e internetit nëpër të gjithë institucione.
Por një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se për vitin 2019, abuzimi nga ana e zyrtarëve të administratës në arsyen se përse e përdorin kompjuterin dhe internetin është skandaloz.
Trafiku i internetit në rrjetin e gati të gjitha ministrave përdoret për azhornimin e detyrueshëm të sistemeve operative ‘Microsoft’ në 85, 53%. Kurse pjesa që tjetër që duhet t’i shërbente administratës për zhvillimin e aktivitetit, në fakt përdoret për rrjetet sociale (më së shumti Facebook), filma, muzikë, radio, shkarkime dhe lojëra argëtuese.
Një e dhënë shqetësuese kjo, që tregon efektivitetin e punës së administratës publike.
Gjithashtu auditimi i KLSH ka nxjerrë të dhëna alarmante edhe mbi sigurinë e sistemeve informatike të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Bujqësisë dhe ministrisë së Kulturës.
Ky `investigim` ngre edhe alarmin se në disa raste, faqet zyrtare të internetit janë krejtësisht të pasigurta dhe mungojnë certifikatat e sigurisë në rrjet.