'Vazhdon sulmi i Veliajt kundër Ora News, sepse me ne nuk ka 'Më jep - Të jap'!'

Premte, 14 February 2020 13:51

Për konfliktin e madh që ka shpërthyer ndërmjet kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe televizionit "Ora News", ka folur sot në studion e SYRI TV, gazetari Elion Laze, një nga “viktimat” e sulmeve të Veliajt.

Laze, në fjalën e tij tha se konflikti po vazhdon, pasi Erion Veliaj i pushtetshëm i ka mbyllur përherë çështjet aty ku ka pasur marrëdhënie “Më jep - Të jap”, kurse në rastin në fjalë, me "Ora News", nuk ka të tillë marrëdhënie.

“Kur media jonë të shpëtojë nga ky inat i Erion Veliajt ... - tha Laze. - Nuk është rasti i vetëm që kryebashkiaku ka përplasje me mediat. Edhe kur ishte Ministër i Çështjeve Sociale, ai pati përplasje me televizionin "Agon" për dasmën e tij. Dhe tani sërish vazhdon me të njëjtën mënyrë: "Pse më prekni mua, do të bëhet gurguleja e madhe”!!!

"Ora News" ka dy vjet që po bën detyrën dhe gjendet në të tillë presion, në të tillë “të fortë” që sjell Kryetari i Bashkisë  dhe në tymnajën që sjell ai për një histori gjobe.

Po, para dy vjetësh, "Ora News" i transmetonte kasetat e gatshme që shpërndante bashkia e Tiranës në media, Janë transmetuar, por me ardhjen e drejtoreshës së re Beti Njuma, u mor vendimi që ne do të ndiqnim vetë çdo event.

E thashë, ka pasur një transmetim kronikash edhe të Bashkisë së Tiranës për shkurtim kohe dhe kostosh, por me ardhjen e drejtoreshës së re doli urdhri që të ndiqnim ne vetë aktivitetet e bashkisë, punët publike, sepse dhe ankesat e njerëzve erdhën duke u shtuar.

Unë nuk intimidohem nga fjalët e zotit Veliaj, nuk më impresionojnë. Nuk ndihem komod natyrisht, se kemi familje, kemi rreth shoqëror; kam shqetësime se pse po flasim për një nga njerëzit më me pushtet.

I lutem zotit Veliajt, nëse ka një marrëdhënie ekonomike, marrëdhënie interesash “Më jep - Të jap”, ta bëjë publike. Se kur ka dashur i ka mbyllur çështjet aty ku ka pasur marrëdhënie “Më jep - Të jap”, por në rastin e "Ora News" nuk ka.”

Login to post comments