‘Shpërtheva në lot’, banorja në Durrës: Vlerësimet kontradiktore, prisja të merrja bonusin më pas thanë shtëpia është e banueshme

Tuesday, 18 February 2020 14:47

Fllanza Dardha jetonte në një garsoniere në lagjen numër dy të qytetit të Durrësit deri mëngjesin e 26 nëntorit 2019. Që prej asaj dite, fëmijët kanë frikë të kthehen në dhomën e ngushtë, ku suvatimi dhe tullat e shkëputura qëndrojnë ende mbi dyshek, ndaj familja ka gjetur strehë tek i vëllai në periferi të qytetit.

Aplikimi për bonusin e qirasë ishte shpresë për të dhe dy fëmijët, deri në riparimin e garsonieres. Por edhe pse emri i doli në listë, Fllanza mësoi shpejt se nuk do të përfitonte asgjë.

“Më doli emri e para. Shkova në bankë dhe nuk kisha asnjë lek. Kam shkuar tek bashkia dhe më thanë se kam dalë me DS3 [shkallë dëmtimi serioze, por e riparueshme]. I thashë çfarë është more zotëri ky DS3-esh,” rrëfen gruaja e tronditur.

Pas shumë ecejakeve nga Rajonin Numër 1 (Njësia Administrative) te bashkia e qytetit, gruaja mësoi se pallati ku banonte është klasifikuar si i banueshëm.

“Shpërtheva në lot se unë po prisja të merrja bonusin dhe jo të më dilte shtëpia e banueshme,” kujton duke u përlotur Fllanza.

Fllanza Dardha u zhvendos në qytetin e Durrësit pasi i shoqi humbi jetën në një nga galeritë e kromit në minierën e Bulqizës dhe prej asaj kohe rrit e vetme dy fëmijët 7 dhe 10 vjeç. Ajo e mban familjen me të ardhurat e siguruara nga puna në fasoneri, ndërkohë që tërmeti shkatërrimtar e ka vështirësuar edhe më shumë jetën e tyre.

Bashkia Durrës pranoi për BIRN se ekzistojnë fenomene të tilla në qytet dhe sqaroi se në kushtet kur akti i konstatimit e ka klasifikuar godinën të banueshme, ishte e pamundur që këta banorë të përfitonin bonusin e qirasë. Por mjaft banorë të klasifikuar në këtë kategori nuk janë të bindur, ndërsa thonë se kanë marrë dokumente kontradiktore dhe se banesat e tyre nuk ishin realisht të banueshme.

Të dëmtuar seriozisht, por pa bonus

https://www.reporter.al/wp-content/uploads/Dhoma-e-ndenjes-në-apartamentin-e-Elona-Kazllarof-në-lagjen-numër-2-në-Durrës-Foto-Geri-Emiri-300x200.jpg 300w, https://www.reporter.al/wp-

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, ndërsa në një bilanc të bërë së fundmi, qeveria shqiptare tha se 17 mijë persona ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Qyteti i Durrësit është ndër më të goditurit me 37 mijë banesa të dëmtuara.

Në pallatin 8-katësh të Fllanza Dardhës në lagjen 2 të qytetit të Durrësit, akt-konstatimi i fazës së dytë, i kryer më 10 dhjetor 2019 nga Instituti i Ndërtimit, e klasifikoi godinën në kategorinë “DS2” dhe “DS3”, përkthyer si “dëmtime serioze – mesatare”.

Katet më të dëmtuara janë i pari dhe i dyti, ndërsa më lart evidentohen plasaritje të lehta sipas banorëve. Brenda dhe jashtë shtëpive dallohen të krisurat në mura, suvaja e rënë dhe probleme të tjera.

Në katin e parë të pallatit, ngjitur me murin e Fllanza Dardhës jetonte edhe Elona Kazllarof. Që prej ajo janarit, është larguar në shtëpi me qira. Muret e apartamentit kanë pësuar shkëputje nga lëkundjet sizmike dhe pirgjet e copave të tullave gjenden kudo.

“Pasi erdhi grupi me inxhinierët e huaj, nënkryetari i komunës tha aplikoni që të merrni bonusin e qirasë. Na tha mos rrini më këtu, sepse të gjitha muret janë të dëmtuara,” tregon ajo. Gruaja tha se së bashku me bashkëshortin dhe 3 fëmijët morën një shtëpi me qira.

Por njësoj si Fllanza, ajo nuk do të përfitojë bonus, ndërsa tani duhet të paguaj edhe  25.000 lekë të qirasë mujore. Gruaja thotë se ka mbaruar studimet për mësuesi, por sot është e papunë dhe situata pas tërmetit e ka rënduar gjendjen ekonomike të familjes.

Në një procedurë të ngjashme, Elona i plotësoi dokumentet për përfitimin e bonusit të qirasë dhe i doli emri si përfituese. “Më pas bashkia më skualifikoi, sepse pallati del i banueshëm sipas aktit të konstatimit, pavarësisht se kryetari i rajonit më ka dhënë një vërtetim që banesa është e pabanueshme,” tha ajo.

Akte kontradiktore dhe pasiguri

Konstatimet kontradiktore për të njëjtat godina mbajnë dhjetra banorë të Durrësit në pasiguri. Për pallatin 8-katësh në lagjen 2 të Durrësit, dy akt-konstatimet nga inxhinierët e huaj dhe ata të Institutit të Ndërtimit e klasifikojnë godinën si të banueshme, gjë që automatikisht i përjashton banorët nga mundësia e marrjes së bonusit të qirasë.

Megjithatë, Elona Kazllarof thotë se fillimisht atyre u kishin thënë që shtëpia ishte e pabanueshme

Ndërsa flet, ajo mban në njërën dorë një vërtetim lëshuar më 31 dhjetor  të vitit 2019 nga Rajoni Numër 1 i Bashkisë Durrës dhe ku shkruhet se “Banesa është e pabanueshme”, duke u mbyllur me firmën e administratorit Roland Çobanaj dhe përbri tij emrin e kryetarit të bashkisë, Zhuljen Varfaj.

Në dorën tjetër mban një akt konstatimi të thelluar, përpiluar nga Instituti i Ndërtimit, pa emra dhe firmë të inxhinierëve që e kanë plotësuar, duke e klasifikuar godinën si të banueshme. Akti i evidenton dëmet si, “çarje të mëdha në ndarje dhe mure mbushëse”, “çarje që bie nga lidhjet e paneleve të murit” dhe “rënia e veshjes e paqëndrushme dhe e suvasë”. Në akt konstatim rekomandohet  “të riparohen muret dhe suvaja”.

“Bashkia thotë se akt-konstatimi e nxjerr pallatin e banueshëm, ndërsa rajoni (njësia administrative) e nxjerr të pabanueshëm. Këta nxjerrin të pavlefshëm dokumentet e njëri-tjetrit,”thotë me dëshpërim Elona Kazllarof.

Ajo e bleu apartamentin 4 vite më parë, me dëshirën që të mos paguante më qira dhe vijon të shlyej këstet e huasë. Në hyrje të pallatit ku jetonte qëndron një kryq portokalli, që paralajmëron për nevojën e riparimit të godinës.

Banorë në pallate të tjera në lagjen numër 2 dhe 11 të qytetit pohuan se megjithëse katet e para të pallateve ku banojnë janë të dëmtuara, nuk kanë mundur të përfitojnë bonus qiraje për shkak se godina është klasifikuar si “e banueshme”.

B.D. është një banore në lagjen numër 4, jo shumë larg godinës së Rajonit Numër 1. Ajo pohoi në kushtet e anonimatit se pasi shpërthyhen tubacionet e ujërave të ndotura në çdo kat, i rregulluan vetë dhe të njëjtën rrugë do të ndjekin për ambientet e përbashkëta.

“Asnjë tek ne nuk aplikoi për bonus qiraje, sepse nuk u klasifikua si i pabanueshëm pallati, megjithëse deri në katin e katërt janë të dëmtuara apartamentet,” shtoi gruaja.

Në dilemë për vlerësimin e dëmeve

Zonjë Gjoka banon në një garsoniere muret e së cilës janë zhveshur nga suvatimi dhe vende-vende tullat janë thërrmuar nga lëkundet e forta. Por dy javë pas tërmetit, gruaja 62 vjeçare u rikthye në shtëpi, në pamundësi për të jetuar më gjatë tek të afërmit.

“Nuk kam lekë të paguaj qiranë dhe rri këtu. Jam në pension dhe marr vetëm 1200 lekë në muaj,” tregon ajo.

“I dërgova dokumentet për bonusin e qirasë, por kryetari i njësisë më tha se pallati ka dalë i banueshëm. Inspektori më pati thënë se kati 0 është i pabanueshëm,” shton 62-vjeçarja.

Në darkë e tërheq divanin ku shtrihet në mesin e kuzhinës së ngushtë, me shpresën që t’i shpëtojë rënies së mureve në rast lëkundjesh të fuqishme të tokës, teksa pohon se çdo ditë pastron suvanë që bie nga muret.

Ajo shpreson se ndërsa nuk përfitoi bonus, të paktën do të ndihmohet që të kryejë riparimet.  “Por ama nëse nuk na japin asnjë lek për dëmet, do shkoj në emigrim, të kujdesem për ndonjë të moshuar që të mbledh disa lekë për të riparuar shtëpinë,” tregon Gjoka, e zhgënjyer pasi nuk e përfitoi bonusin e qirasë.

Fllanza Dardha po ashtu tregon se bashkëshortët e shumë prej kolegeve në fasoneri janë larguar jashtë vendit për të punuar, me qëllim riparimin e banesave të dëmtuara.

Bashkia Durrës pas interesimit të BIRN tha se banorët duhet të aplikojnë online tek programi i rindërtimit, pasi në javët në vijim pritet që të dalin në terren grupet e punës për vlerësimin e dëmeve që la pas tëmreti i datës 26 nëntor 2019.

Por Fllanza nuk është e bindur se varavingot burokratike do ta ndihmojnë, pasi deri më tani i kanë kushtuar një pjesë të të ardhurave mujore për shkak të mungesave në punë.

“Unë aty (në sipërmarrjen fasone) marr 28.000 lekë në muaj po nuk mungova. Tani që unë kam bredhur poshtë e lart, vetëm 19.000 lekë kam marrë në muajin janar,” rrëfen ajo për humbjet e ditëve të punës nga shkuarja çdo javë në bashki.

Elona Kazllarof dhe 8 banorët e dy kateve të para të pallatit ku banon kanë nënshkruar një kërkesë drejtuar bashkisë, në të cilin kërkojnë të rievidentohen dëmet në pallat.

“Ne kërkojmë një grup evidentimi. Por unë kam frikë se ky grupi nuk mund të vijë, sepse pallati rezulton i banueshëm,” tregon 40 vjeçarja, duke e konsideruar shtëpinë e saj të pabanueshme.

Modifikuar më Tuesday, 18 February 2020 15:02
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...