Analisti Fahri Balliu, autor i librit “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha” tha sot se Hoxha nuk u vu asnjëhërë gjatë viteve të pluralizmit, para akuzave të forta, reale dhe se shoqëria shqiptare edhe sot vazhdon të jetë e infektuar prej mbrojtjes që i bën krimit komunist.
Balliu foli në studion e Syri.Tv pikërisht në ditën kur 99- vjeçarja Nexhmije Hoxha u përcoll me arkivol për në varrezat.
“Shteti duhet ta kishte vënë para akuzave të forta, reale, por kjo nuk ka ndodhur, - tha Balliu. - Përkundrazi, edhe në këto vite, Hoxha ka qënë influente me një nga partitë kryesore, ka darkuar me njerëz kryesorë në pushtet dhe ka ndikuar në emërimin e mbështetësve si zëvendësministra. Ajo madje edhe ka përshëndetur protagonistët.
Shoqëria shqiptare është e infektuar prej mbrojtjes që i ka bërë krimit komunist dhe degjenerimit që vazhdon, në kohërat e reja, po të njëjtit krim komunist.
Për shembull, ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik ishte një varr i hapur për Shqipërinë për pasojat që kishte dhe kostot. Çeliku që prodhohej në Elbasan ishte më i shtrenjtë se po të vinte nga Brazili. Po ja, çfarë bëjnë këta me PPP-të?!
Pra, kemi një lloj trashëgimie që e bën të pamundur që të zhyten me thellësi në studime, studiuesit, drejtësia, në krimet e tyre, për përfituar nga mundësitë që të jep ligji, demokracia. Me këtë liri që marrin vazhdojnë sulmet e sotme të maskuara me veshje tjetër.
Nuk ka pasur ndonjë deklaratë të asnjë prej krerëve të Rilindjes, as nga ky që ishte i dashuruar me modelin e Hoxhës gjatë historisë së pluralizmit shqiptar, përveç frazave të përgjithshme, folklorike.”