Lëvizja e Metës/ Lubonja: Grushti i shtetit nesër mund të ushtrohet dhe ndaj jush

E Enjte, 27 February 2020 18:02

Nga FATOS LUBONJA *

Akuzat e Presidentit Meta për grusht shteti kushtetues nga qeveria dhe thirrjet e tij për një protestë më 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës, kanë mbizotëruar skenën mediatike të gjysmës së dytë të shkurtit, në konkurrencë me lajmet mbi rrezikun e koronavirusit. Për t’i dhënë precedencë në këtë konkurrencë lëvizjes së vet, Ilir Meta e shoqëroi thirrjen e tij edhe me pohimin se Rilindja është më keq se çdo murtajë.

 

Duke ndjekur komentet e shumta për këtë ngjarje dhe këtë pohim të fundit, mund të them se kësaj here më ka rënë në sy, më shumë se kurrë, fakti se kundërshtimi ndaj atyre që janë pro Presidentit nga ana e mbështetësve të PS-së që janë kundër tij ka qenë më i kompleksuar. E them këtë, pasi nuk kam dëgjuar thuajse askënd ndër ata që janë kundër Presidentit të hedhin poshtë akuzat ligjore të tij, që provojnë se maxhoranca po bën një grusht shteti ndaj Kushtetutës, duke kapur nëpërmjet shkeljesh ligjore Gjykatën Kushtetuese.

 
 

Argumentet e kundërshtarëve të Metës që mbushën me shumicë emisionet synuan të përqendrohen rreth pyetjeve të tilla si: A e bën Meta këtë lëvizje për interesin e vet, pasi maxhoranca ka kërkuar shkarkimin e tij, prandaj i duhet një Gjykatë Kushtetuese që ta kontrollojë? A duhet të veprojë në këtë mënyrë Presidenti, duke thirrur njerëzit në protestë, ndërkohë që roli i tij është ai i ruajtjes së unitetit kombëtar? A do ta lërë Meta postin pas protestave? A do të krijojë ai ndonjë parti tjetër? Çfarë lloj partie do të jetë kjo? Sovraniste, evropianiste apo postmoderniste? Pati madje edhe pyetje si ajo që vuri Fevziu për publikun në emisionin e tij të së enjtes: a do të pajtohet Rama me Metën përsëri, apo do të vazhdojë konflikti?

 

Po nisem nga kjo pyetja e fundit për të shtjelluar më saktë se çfarë dua të them. Andi Bejtja ngulmoi me të drejtë në atë emision, duke i thënë disa herë Fevziut se pyetja themelore që duhej shtruar për publikun ishte nëse ka apo nuk ka të drejtë Presidenti në çështjen që ka ngritur, sepse kjo është e para gjë që na intereson të gjithëve sot dhe jo a do të pajtohet përsëri Rama me Metën. Kjo, pasi nëse publiku mendon se akuzat ligjore të Presidentit qëndrojnë, atëherë problemi që ka ngritur ai bëhet automatikisht një problem i të gjithëve dhe jo një problem i Ilir Metës.

Kurse të shtrosh në këtë moment problemin nëse do të pajtohet apo jo përsëri Meta me Ramën, është ta reduktosh këtë ngjarje thjesht në problem të Ilir Metës, që është krejtësisht sekondar dhe jashtë vendit në raport me problemin që duhet të shqetësojë të gjithë shqiptarët, të cilët duan të jetojnë me një minimum dinjiteti dhe ndjenje lirie.

Sepse kur akte të tilla falsifikimi dhe shkeljeje të ligjit kryhen edhe ndaj institucionit të Presidentit, të gjithë duhet të ndihen më të pasigurt në këtë vend. Dhe kur them “të gjithë”, kam parasysh edhe socialistët apo mbështetësit e tyre, që pretendojnë se kanë një lloj dinjiteti. Madje, do të thosha se nëse kanë mbetur të tillë, ata duhet të jenë të parët që nuk duhet të lejojnë që partia ku bëjnë pjesë të shkelë në këtë mënyrë themelet e demokracisë, siç është edhe Kushtetuta.

Thënë kjo, mendoj se vetëm disa shkallë më poshtë emergjencës që ka krijuar akti i qeverisë kundër institucionit të Presidencës mund të merren në konsideratë argumentet e mbështetësve të PS-së, që e analizojnë atë si një çështje të Metës. Personalisht bëj pjesë ndër ata që e kanë parashikuar grushtin e shtetit që në fillimet e Reformës në Drejtësi, duke paralajmëruar se “operacioni Reforma në Drejtësi krijon kushtet e një gjendjeje të jashtëzakonshme, quaje po deshe puçi ose grushti shteti, që të evokon situatat ku lind nevoja e krijimit të organeve me fuqi të jashtëzakonshme, derisa të konsolidohet pushteti i puçistëve”. (http://perpjekja. blogspot.com/2016/01/ draft-kushtetuta-e-njegrushti-shteti.html). Kur analizoj gjithë çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit, nuk mund të mos gjej përgjegjësitë edhe të Ilir Metës për këtë konsolidim të pushtetit të puçistëve me bashkëpunimet, pajtimet e pazaret e shumta që ka bërë me Edi Ramën për interesat e veta e të partisë së tij kundër atyre të shqiptarëve.

Të njëjtën gjë mund të them edhe për PD-në dhe aleatët e saj. Nuk ka pikë dyshimi se s’do të kishim arritur në këtë pikë sikur ata, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, për interesa partiake e vetjake dhe kundër interesave të shqiptarëve, të mos kishin lejuar krimin e puçistëve dhe puçistët e krimit të kapnin shtetin deri në këtë shkallë. Megjithatë, problemi i së sotmes është që çdokush, e përsëris, edhe ata që sot militojnë në partinë në pushtet, edhe ata që bëjnë pjesë në frontin e atyre që duan ruajtjen e statukuosë, sepse e kanë të lidhur qerren e interesit personal me Ramën; edhe prokurorët dhe gjykatësit që sot konsiderohen se janë kapur nga PS-ja duhet të gjejë mënyrën për të reaguar kundër këtij grushti shteti kushtetues.

Arsyetimi për këtë është shumë i thjeshtë, sepse e ka provuar historia më shumë se një herë: nëse lejoj që shkelja e ligjit të ushtrohet ndaj kundërshtarit tim, nesër ajo do të ushtrohet edhe ndaj meje.

* Artikull i shkruar ekskluzivisht për gazetën Panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...