Ardian Dvorani mbron Dvoranin në emër të Gjykatës së Lartë

Hënë, 02 Mars 2020 11:47

Gjykata e Lartë ka shënuar sot një precedentë të rrallë në komunikimin e institucioneve shtetërore me publikun. Aktualisht kjo gjykatë nuk funksionon, por ka vetëm një gjyqtar, Ardian Dvoranin.

Juristi Dvorani kryen funksionin e kryetarit, anëtarit dhe gjyqtarit që mban hapur institucionin  si dhe atë të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Emri i Dvoranit u përfol në media si personi që aludohej se mund të ishte takuar me botuesin Henri Çili.

 

Botuesi i njohur në seancën e djeshme kundërshtoi provat e prokurorisë dhe deklaroi se nuk ka pasur asnjë takim me përfaqësues të Gjykatës së Lartë. Prokuroria nga ana tjetër, nuk e ka publikuar emrin e zyrtarit për të cilin ka shkuar në dosje se është takuar me botuesin e njohur.

Deklarata e Gjykatës së Lartë (Arian Dvoranit)

NJOFTIM PËR MEDIAN

Në datën 28.02.2020, nëpërmjet një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit njoftoi publikisht disa të dhëna lidhur me disa veprime dhe rezultate të arritura në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në vitin 2019 dhe një operacioni policor të emërtuar “Mezhgorani”.

Menjëherë pas kësaj deklarate, në media u shfaqën informacione dhe komente se ishin ndaluar në kuadër të këtij operacioni edhe disa persona me dyshimin e përfshirjes së tyre në veprimtari që synonin të përshpejtonin shqyrtimin e së paku një çështjeje penale në Gjykatën e Lartë dhe më tej ndryshimin e situatës ligjore të personave të gjykuar dhe dënuar në këto çështje penale.

Ndërmjet të tjerave, në media e përhap menjëherë edhe informacioni se njëra prej këtyre çështjeve penale, me nr. 52105-00941-00-2019, e regjistruar në Gjykatën e Lartë në datën 09.10.2019, ka si relator të saj gjyqtarin Ardian Dvorani. Njëkohësisht, informohej publiku se një apo disa nga personat e ndaluar ishin takuar me një funksionar të lartë të drejtësisë dhe kishin marrë prej tij/saj premtimin se kjo çështje penale do të shqyrtohej mes çështjeve të para sapo Gjykata e Lartë të bëhej funksionale.

Duke i lidhur këto dy episode, ku padyshim i pari është i saktë dhe konfirmohet edhe nga të dhënat tona zyrtare, filloi të aludohej se në këtë takim ka qenë gjyqtari Ardian Dvorani apo ndonjë person tjetër që aktualisht apo në të ardhmen mund të ndikonte në realizimin e qëllimeve të tyre lidhur çështjen penale të sipërcituar. Ky aludim u përhap me nxitim në media pa kryer verifikimet minimale të fakteve dhe pa kërkuar informacion zyrtar nga ana e Gjykatës së Lartë. Po kështu, siç ndodh gjithmonë, shpesh edhe në mënyrë të qëllimshme, pa minimumin e kujdesit dhe të përgjegjësisë qytetare dhe institucionale në një shtet të së drejtës dhe me regjim demokratik, ky aludim u ushqye pa asnjë arsyetim të bazuar në prova dhe në mungesë të përsëritur të respektit për veten e tyre dhe veçanërisht për institucionet shtetërore nga subjekte politike dhe persona të ndryshëm që marrin përsipër të komunikojnë me publikun dhe në emër të publikut.

Prandaj, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria po kryejnë dhe duhet të kryejnë detyrat e tyre deri në fund edhe në këtë drejtim, duke ripërsëritur se në mënyrë kategorike nuk ka pasur asnjë lloj kontakti, të çfarëdo natyre dhe me çfarëdo personi, të gjyqtarit Ardian Dvorani, lidhur me çfarëdo çështjeje gjyqësore, përfshirë edhe çështjen penale nr. 52105-00941-00-2019, vlerësuam ti paraqesim publikut disa shpjegime të thjeshtuara për mënyrën se si administrohen çështjet gjyqësore, si caktohet gjyqtari relator, si caktohet dhe kur shqyrtohen çështjet nga kolegjet e gjykatës, si edhe disa të dhëna konkrete të mënyrës se si është proceduar me çështjet penale në periudhën Nëntor 2019 dhe deri më sot.

Gjyqtari relator i çdo çështje që vjen për shqyrtim në Gjykatën e Lartë caktohet nëpërmjet shortit elektronik në mënyrë të menjëhershme dhe të rastësishme, menjëherë në momentin e regjistrimit të saj në regjistrat e kësaj Gjykatë. Sipas natyrës së tyre, çështjet gjyqësore në Gjykatën e Lartë shqyrtohen duke respektuar radhën e ardhjes së tyre për shqyrtim pranë kësaj Gjykate. Përjashtimisht, në raste të caktuara dhe të motivuara sipas kritereve të paracaktuara dhe të miratuara në rregullat e brendshme të administrimit të tyre, çështje konkrete mund të shqyrtohen në mënyrë të përshpejtuar, jashtë radhës së ardhjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë . [1] Procesi i përshpejtimit të gjykimit të çështjes, jo vetëm që kërkon përmbushjen e këtyre kritereve, por edhe angazhimin dhe pëlqimin paraprak të gjyqtarit relator, kolegjit përkatës dhe Kryetarit të Gjykatës.

Aktualisht, për shkak se në Gjykatën e Lartë ka vetëm një gjyqtar në detyrë, të gjitha çështjet gjyqësore, të çdo lloji e natyre, pavarësisht nga koha kur kanë ardhur për shqyrtim, në sistemin e administrimit të çështjeve rezultojnë me gjyqtar relator të vetmin gjyqtar në detyrë: Ardian Dvorani. Gjithsesi, në sistem e administrimit të çështjeve dhe në secilën dosje administrohet edhe historiku i caktimit të gjyqtarit relator dhe ndryshimet që mund të kenë ndodhur gjatë kohës që çështja është në pritje për tu shqyrtuar nga kolegji përkatës. Natyrisht, në të ardhmen, me emërimin dhe fillimin e detyrës së gjyqtarëve të rinj, do të veprohet me shpërndarjen e çështjeve dhe caktimin e gjyqtarëve relatorë që duhet të procedojnë me përgatitjen e secilës çështje për relatim dhe më pas për gjykim në kolegjin përkatës.

Pavarësisht se Gjykata e Lartë prej kohësh ka qenë pjesërisht funksionale dhe prej shumë muajsh nuk është funksionale me pasojë pamundësinë e gjykimit të çështjeve, janë marrë të gjitha masat e mundshme, është punuar dhe vijon të punohet me intensitet të lartë për studimin e dosjeve dhe përgatitjen e relacioneve përkatëse nga ana e këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë. Këto përgatitje bëhen për të krijuar sa më shumë mundësi që, kur Gjykata të bëhet funksionale, të jetë në gjendje të shqyrtojë dhe vendosë për zgjidhjen sa më shumë çështjeve dhe në kohën më të shpejtë të mundshme.

Deri në fund të muajit Janar 2020, në Gjykatën e Lartë janë në pritje për tu shqyrtuar 5202 çështje penale, nga të cilat 79 janë në seancë gjyqësore dhe 5123 në dhomë këshillimi. Ndërkohë janë përgatitur dhe janë të gatshme për tu shqyrtuar, në dhomë këshillimi 566 çështje penale, numër i cili rritet vazhdimisht me rreth 40-50 çështje të reja që përgatiten çdo muaj. Për këtë qëllim, aktualisht dhe për një periudhë afatmesme, Gjykata e Lartë po bashkëpunon dhe do të mbështetet me ekspertizë, masa dhe burime të tjera nga SHBA nëpërmjet Projektit Justice for All dhe nga Euralius.

Gjithashtu, në zbatim të pikës 2 të nenit 26 dhe të pikës 3 të nenit 34 të ligjit nr.98/2016, Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani ka ndjekur dhe përmbushur detyrimin procedural të caktimit të këshilltarëve ligjore që ngarkohen me studimin dhe përgatitjen e relatimeve për çështjet gjyqësore, duke ndjekur rigorozisht kriterin kohor të ardhjes së çështjeve për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Në gjendjen aktuale, jo vetëm nuk ka asnjë kuptim por edhe nuk është proceduar në fakt në asnjë rast më urdhërimin e përgatitjes për shqyrtim të ndonjë çështjeje gjyqësore jashtë radhës së ardhjes së tyre në Gjykatën e Lartë.

Ashtu siç i deklaruam mediave të interesuara ditën e premte, pa miratimin me shkrim të drejtuesit të Gjykatës së Lartë, asnjë dosje gjyqësore nuk mund të tërhiqet për çfarëdo qëllimi nga ana e këshilltarëve ligjorë. Akoma më tej, duke vijuar si deri më sot ndjekjen me rigorozitet të procedurave dhe kritereve të miratuara, si edhe trajtimin e barabartë të atyre që presin prej vitesh zgjidhjen e çështjeve të tyre, në cilësinë e të drejtuesit të Gjykatës së Lartë gjyqtari Ardian Dvorani do të vijojë të garantojë respektimin e këtyre procedurave. Prandaj, jo vetëm nuk ka ndodhur, por askush të mos mendojë se mund të marrë përsipër apo të ndërhyjë duke i paracaktuar ndonjë trajtim të privilegjuar rasteve dhe çështjeve të caktuara, si aktualisht ashtu edhe në kohën kur Gjykata e Lartë, me ardhjen e gjyqtarëve të rinj, do të bëhet funksionale.

Por, për të mos ngelur vetëm tek fjalët, meqenëse, këto ditë ka ndjeshmëri lidhur me mënyrën e trajtimit të çështjes penale nr. 52105-00941-00-2019 e regjistruar në Gjykatën e Lartë në datën 09.10.2019, së bashku me këtë Njoftim Publik përcillen publikisht për ti njohur konkretisht kushdo që është i interesuar edhe kopje të skanuara të dokumenteve që i përkasin periudhës Nëntor 2019 dhe deri më sot, me të cilat u janë caktuar për studim këshilltarëve ligjorë çështjet penale të cilat nuk janë trajtuar në të kaluarën. Kushdo mund të konstatojë, jo vetëm respektimin e radhës kohore të ardhjes së çështjeve në Gjykatën e Lartë, por edhe faktin e thjeshtë se nuk ka asnjë veprim në lidhje me çështjen penale nr. 52105-00941-00-2019.

Modifikuar më Hënë, 02 Mars 2020 12:08
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...