Liria e mendimit e Ylli Rakipit dhe shteti privat i Edi Ramës

E Enjte, 05 Mars 2020 10:35

Shumëkush që është përballur me paditë e shumta të kryeministrit Edi Rama, sot do jetë befasuar akoma më shumë.

Gruaja që mbronte kryeministrin në seancat e tyre gjyqësore, do jetë tani e tutje Avokatja e Përgjithshme e Shtetit. Ajo quhet Enkelejda Muçaj dhe në këto foto shihet teksa shkon në seancë gjyqësore kundër gazetarit Ylli Rakipi.

Historia e përplasjes gjyqësore të këtij të fundit me kryeministrin Edi Rama shkon në thelbin e problemit të medies në vend. Kryeministri e ka paditur për cenim imazhi, kurse gazetari thotë se kjo është diktaturë e plotë. “Ai kërkon që të mos kem as mendimet e mia. Nuk ka të bëjë as me fakte, as me prova ky gjyq,” thotë Rakipi.

Edhe pse ai ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në gjyqin ndaj tij dhe seancat të jenë të hapur, Rama i ka dërguar vazhdimisht avokaten, të cilën e gradoi sot në detyrën e lartë.

“Ai ka në dorë gjithçka,” thotë Rakipi, duke i mëshuar një paradoksi. “Kryeministri thotë se do të fitojë 60 gjyqe, ky do ishte rast unik në botë,” thotë gazetari. Si mund të flasë kryeministri si një gjyqtar? Si mund të fitojë të gjitha gjyqet kryeministri i vendit më të korruptuar dhe më të kriminalizuar në botë? Pastaj, si mund të ankohet për prishje imazhi një kryeministër që i fyen gazetarët nga mëngjesi deri në darkë, duke i quajtur kazan e kadrinj?

Ylli Rakipi është sulmuar për mendimet e tij, kurse avokatja me të cilën u përball në vend të Edi Ramës, sot do zërë vendin e Artur Metanit, njeriut që qeveria e katapultoi në postin më të lartë të drejtësisë së re, sipas opozitës në shkelje të ligjit.

Ky është një shpërblim për përballjet me Rakipin, por edhe Sali Berishën, Edi Palokën dhe këdo që ka folur kundër pushtetit. Një shpërblim që tregon qartë se vendi është katandisur në një shtet privat. I gjithi në duart e Ramës.

Login to post comments