Policia e Durrësit ka goditur një rast të shpërndarjes të lëndëve narkotike në doza duke arrestuar një 22-vjeçar.
Në pranga në flagrancë është vënë 22-vjeçari me inicialet E. B., banues në Durrës.
Policia i ka gjetur kokainë, një thikë si dhe shkop gome si ai që mban në përdorim policia.
Njoftimi i Policisë së Durrësit
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes të lëndëve narkotike në doza.
Arrestohet në flagrancë një 22 vjeçar.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, kanabis, kokainë, një thikë si dhe një shkop gome.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara ndaj personave që lëvizin me sende të kundraligjshme, arrestuan në flagrancë shtetasin E.B.,22 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 doza kanabis, 5 doza kokainë, një thikë si dhe shkop gome si ai që mban në përdorim policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale ‘Prodhim dhe shitja e narkotikëve’, ‘Mbajtja pa leje e armëve të ftohta’ dhe ‘Mbajtja pa leje e pajisjeve të policisë’.