Pas raportit të ‘Venecias’, Av Ledio Braho: Mazhoranca detyrim ligjor të respektojë Kushtetutën dhe opinionet e Komisionit

Hënë, 09 Mars 2020 15:43

Av. Ledio Braho, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Komisioni i Venecias u shpreh qartë: Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës është antikushtetues, dhe se shkarkimi i Presidentit do të minojë demokracinë në Shqipëri. Av. Braho thotë se Politizimi i çdo strukture të shoqërisë shqiptare, duke nisur nga organizatat jofitimprurëse e deri te institucionet akademike, i bën të pabesueshme tezat doktrinare në lidhje me interpretimet kushtetuese, prandaj mungesa e Gjykatës Kushtetuese mban akoma në fuqi shume ligje të miratuara nga ky parlament.  Së fundi, Av. Braho thotë se tashmë mazhoranca e ka detyrim kushtetues dhe politik që të respektojë opinionet e Komisionit të Venecias.

– Av. Braho, Kushtetuta jonë a ka boshllëqe ligjore, të këtilla, sa palët politike t’i drejtohen Komisionit të Venecias për çështje të tilla si kompetencat e Presidentit, për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, betimin e tyre, por edhe për dekretin e datës së zgjedhjeve?

– Kushtetuta jonë është një Kushtetutë relativisht e re, krahasuar kjo me vëndet e tjera që kanë demokraci dhe republika të konsoliduara. Po ashtu duhet mbajtur parasysh që versioni i saj origjinal që është miratuar dhe me referendum popullor është amenduar plot pesë herë në një hark kohor më të shkurtër se 20 vjeçar, amendime këto të gjitha të pamiratuara me referendum popullor. Duke mbajtur parasysh pikërisht këto dy elementë, është e pritshme që në mos vakume kushtetuese, do të ketë debate dhe nevojë për interpretime kushtetuese si në nivel doktrinal ashtu dhe në nivel jurispridence të Gjykatës Kushtetuese. Por Shqipëria, duke qenë një vend shumë i polarizuar politikisht, shto këtu edhe ndikimin e faktorëve dhe aktorëve ndërkombëtarë, e shndërron doktrinën kushtetuese në doktrinë politike. Politizimi i çdo strukture të shoqërisë shqiptare, duke nisur nga organizatat jofitimprurëse e deri te institucionet akademike, i bën të pabesueshme tezat doktrinare në lidhje me interpretimet kushtetuese. Për këtë arsye, e vetmja mundësi për intepretime të pavarura dhe të besueshme kushtetuese (që normalisht janë edhe detyruese për t’u zbatuar), mbetet ajo e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. Por siç dihet gjerësisht tani, Gjykata Kushtetuese është jofunksionale që nga muaji maj i vitit 2018 dhe të gjitha debatet në nivel kushtutes që nga kjo periudhë janë bërë vetëm në nivel institucionesh apo studiosh televizive duke mos pasur mundësinë e një vendimi përfundimtar pavarësisht faktit që e gjithë kjo periudhë, me apo pa qëllim, është karakterizuar në burim iniciativash antikushtetuese që për çdo mendje normale mund të konsiderohen si të tilla prima facie, por është pikërisht mungesa e Gjykatës Kushtetuese që i mban ende në fuqi ligje të tilla. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo betimin e tyre. Në ndryshim nga dekreti për shtyrjen e datës së zgjedhjeve që është i debatueshëm në nivel kushtetues (reflektuar kjo edhe në opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias në lidhje me këtë çështje), në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe betimin e tyre, Kushtetuta është e qartë, fakt ky që po ashtu është pasqyruar edhe në draft opinionin e Komisionit të Venecias. Dispozita që ka të bëjë me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke qenë një dispozitë e re dhe e hartuar në një kontekst politik të polarizuar (në vitin 2016), është mjaft e qartë dhe nuk lë vend për interpretime të zgjeruara. Ndërkohë që dispozita që parashikon betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është një dispozitë që është në fuqi që nga miratimi i versionit fillestar të Kushtetutës, ajo është sërish e qartë dhe nuk lë shteg për interpretime në lidhje me procedurën e kryerjes së betimit pavarësisht faktit që mund të interpretohet nëse është thjesht procedurë formale apo Presidenti ka dhe kompetencën për të analizuar kushtet e emërimit të Gjyqtarit Kushtetues në nivel kushtetues, i njëjti debat që bëhet edhe në lidhje me dekretimin e ministrave, por që mbetet debat i hapur për aq kohë sa nuk ka një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese.

– Ju si i interpretoni opinionin e Komisionit të Venecias për betimin e anëtarëve  të Gjykatës  Kushtetuese?

– Draft opinioni i Komisionit të Venecias është shumë i qartë në lidhje me këtë fakt. Analiza që ka bërë merr parasysh edhe ndryshimet ligjore në Poloni dhe në Ukrainë në lidhje me betimin e gjyqtarëve të Gjykatave Kushtetuese të këtyre vendeve. Madje, ligji i miratuar nga parlamenti është bazuar pikërisht në rastin e Ukrainës, por ajo se çka arsyeton Komisioni i Venecias është se ndërkohë që në Poloni dhe Ukrainë çështja e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohet me ligj të thjeshtë (në rastin e Polonisë, madje ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e konsideron betimin thjesht si akt solemn), në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me një parashikim kushtetues që e bën të qartë që betimi kryhet “para” Presidentit dhe ky fakt nuk mund të ndryshohet me ligj për aq kohë sa kemi të bëjmë me një parashikim kushtetues. Neni 129 i Kushtetutës, është një ndër nenet e pakta të Kushtetutës sonë që përbëhet vetëm nga një fjali. Kjo dispozitë kushtetuese që flet posaçërisht për betimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, e ka konsideruar kaq të veçantë e të rëndësishëm këtë moment për të legjitimuar fillimin e ushtrimit të detyrës për gjyqtarin kushtetues, sa është vlerësuar nga kushtetutbërësi të vihet në një dispozitë më vete. Procesi i betimit para Presidentit të Republikës, është kërkesë kushtetuese për të zyrtarizuar marrjen e detyrës dhe përgjegjësive që i njeh detyra e re të sapozgjedhurit. Neni 129 i Kushtetutës, nuk kërkon vetëm elementin formal të bërjes së betimit dhe depozitimit para Presidentit, por përmban në vetvete detyrimin e anëtarit të zgjedhur/emëruar të Gjykatës Kushtetuese që të jetë i pranishëm personalisht dhe fizikisht para Presidentit të Republikës, shoqëruar me zhvillimin e ceremonisë/procedurës përkatëse para Presidentit të Repubikës duke kryer deklarimin e betimit dhe nënshkrimin e tij, për të ndjerë personi që betohet, përgjegjshmërinë e funksionit që i është dhënë. Jo më kot betimi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese është vlerësuar nga Kushtetutëbërësi që të bëhet para Presidentit të Republikës, i cili është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson Unitetin e Popullit. Si i tillë, edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, që do të jetë gjithashtu gardian i Kushtetutës, ceremoninë e betimit në tërësinë e saj, duhet ta bëjë pikërisht para Presidentit të Republikës, dhe para tij, duhet të betohet se “Gjatë kryerjes së detyrave ai/ajo do t’i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

– A janë të detyruara tashmë palët politike të respektojnë opinionet përfundimtare të Komisionit  të Venecias, derisa vetë këto (veçmas nga njëra-tjetra) iu drejtuan për të marrë opinionet?

– Palët nuk janë të detyruara në kuptimin ligjor për respektimin e opinioneve përfundimtare, por për aq kohë sa kërkesa për opinion është bërë nga Komisioni Hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë” duke e konsideruar emërimin e kandidates Marsida Xhaferllari si antikushtetuese dhe ky komision është nën ndikimin tërësor të maxhorancës qeverisëse, patjetër që duhet të ketë një reflektim në lidhje me vijimin e emërimeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke respektuar Kushtetutën në mënyrë rigoroze si dhe duke miratuar dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, duke qenë se e vetmja mënyrë betimi që është në përputhje me Kushtetutën, është ajo para Presidentit. Edhe pse kërkesa për opinion nga Komisioni i Venecias ju kthye në boomerang sa i përket pritshmërive, nisur dhe nga fakti që edhe faktori ndërkombëtar ishte shtysë për këtë opinion e për më tepër që në mungese të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka asnjë organ tjetër kombëtar apo ndërkombëtar që mund të japë një opinion apo vendimmarrje në lidhje me këtë çështje, atëherë maxhoranca e ka detyrim ndaj popullit shqiptar respektimin e këtij opinioni.

– A mundet që Presidenti të shpërndajë Parlamentin, derisa aktualisht dhe realisht Parlamenti është në një gjendje anormale dhe në mungesën e Gjykatës Kushtetuese?

– Është e vërtetë që kriza që ka mbërthyer vendin është kriza kushtetuese më e thellë dhe më e gjatë që ka hasur vendi në demokraci, por fakti nëse Presidenti mund të shpërndajë Parlamentin apo jo, mbetet i debatueshëm në nivel kushtetues dhe i paprecedentë. Një akt i tillë patjetër që mund të kryhet nga Presidenti, por efektet janë të tilla që ndoshta do te jemi në të njëjtat kushte si ai i dekretit të shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore. Nëse një dekret i tillë nuk do të pranohet nga maxhoranca dhe nga KQZ, siç ndodhi edhe për dekretin e shtyrjes së datës së zgjedhjeve, një veprim i tillë mund të sjellë vetëm thellim të krizës kushtetuese dhe debate të mëtejshme në lidhje me gjithë ligjet që do të miratohen nga Parlamenti, pas dekretit të Presidentit të shpërndarjen e tij. Vijimi i punës së Parlamentit, pas këtij dekreti do të ishte rast i paprecedentë, sa i përket zbatimit të parimit të sigurisë juridike. Jo më kot dhe Presidenti i Republikës vuri si kusht tërheqjen e maxhorancës nga miratimi i ligjit nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”, në mënyrë që mos të thellohet kriza me shpërndarjen e Parlamentit.

– Tashmë a ka sens më Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës, derisa u shpreh qartë Komisioni  i Venecias?

– Draft opinioni i Komisionit të Venecias është i qartë në lidhje me vijimin e procedurave për shkarkimin e Presidentit dhe kjo qartësi shprehet si në aspektin ligjor që nuk ka shkelje kushtetuese nga ana e Presidentit, përkundrazi shkelje ka nga ana e kryetarit të KED, por dhe në aspektin politik sipas të cilit Komisioni i Venecias e konsideron Presidentit si të vetmin institucion që është ende në kushtet e kontrollit dhe të balancës për aq kohë sa parlamenti, ekzekutivi dhe pushteti vendor tashmë reflektojnë vetëm linjën politike të maxhorancës qeverisëse. Në këto kushte, Komisioni i Venecias thekson se vijimi i procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës vetëm do e thellonte krizën kushtetuese dhe politike në Shqipëri, madje do të arrijë deri në nivelin e minimit të demokracisë në vend. Për të gjitha këto arsye, ky komision parlamentar jo vetëm që nuk ka më sens e nuk ka pasur që nga fillimi i tij duke pasur parasysh edhe përbërjen, por vijimi i tij thjesht do të polarizojë më tej krizën kushtetuese dhe politike në vend.

– Ju falenderoj!

/Telegraf/

 
Login to post comments

Më të klikuarat

Error: No articles to display

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...