Nuk është e vështirë të dallosh ndryshimin e retorikës së Edi Ramës, nga sulmet ndaj opozitës dhe medias se po përhapin panik deri te nxjerrja e ushtrisë në rrugë. Respublica.al sjell me video dallimin mes komenteve të Ramës brenda pak ditësh
Siç mund të pritej edhe me krizën e pandemisë së tanishme, shqetësim ndër kryesorët për qeverinë shqiptare janë mediat. Një pjesë e tyre. Ç’është e vërteta në botë po bëhen përpjekje për të ndalur lajmet e rreme, kurse në Shqipëri të tilla ende nuk ka. Janë vënë në lëvizje padi penale për përhapje paniku, por ato janë akuza mbi rërë, pasi përditë e më shumë po del në pah se Shqipëria nuk po di ta përballojë krizën veçse duke imituar vendimet që merren në Itali. Ka ankesa të shumta nga stafet mjekësore, ka mosbesim për shifrat, ka shtrëngesë në logjistikë.
E megjithatë njërëzit në një mënyrë apo tjetër do ia dalin. Jo me qeverinë në krah, por me qeverinë në ekran. Atë ekran që e do aq shumë e të cilin e shan sa herë nuk i leverdis. Meqë ka disa që sugjerojnë që të mos i ndjekim më ekranet e debateve të mbrëmjes – kush i ndjek akoma se kjo përbën kuriozitet më vete – na mbetet të kthehemi nga burimi zyrtar i informacionit. Mirëpo p.sh vetë kryeministri nuk është serioz.
Shikoni këtë video të datës 7 mars në Shijak ku u premtua rikrijimi i qytezës. Në prezantimin e një arkitekti italian z. Rama refuzon të japë dorën sepse personi vinte nga Italia, pastaj me sjelljen e zakonshme i kthehet e jep dorën duke nëpërdhëmbur: Ma vaffanculo coronavirus…
Kjo më 7 mars.
Vijmë në datën 10 mars kur janë raportuar 15 raste me të prekur. Shikoni videon e përgatitur nga ai vetë. Z. Rama del me sapun në dorë, vetëm në kryeministri suke përsëritur: Korona nuk fal vëllezër.
Frika e ka mbërthyer të gjorin njeri që ka kuptuar se korona “ti manda a quel paese” dhe pa shaka fare. Tani, përtej hallit që mund të ketë z. Rama si kushdo, ne si të sillemi me karantinën e ekraneve. Sepse ekranet e tjera janë me dëshirë, plus sharjet për gazetarët dhe moderatorët në xhep i kemi. Ky ekrani i qeverisë duhet të jetë pak më bindës se jo vetëm është serioz, por edhe di të bëjë ca punë përveçse të tallet me virusin e pastaj të lemeriset prej tij.