Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata kanë bërë sot një thirrje publike për mjekët dhe infermierët dhe studentët e mjekësisë që duan të kontribuojnë në përballimin e situatës së COVID-19, t’I bashkohen ekipeve mjekësore në terren.
“Sikurse ju e dini i gjithë sistemi ynë shëndetësor është i mobilizuar për të përballuar këtë situatë të pazakontë. Mjekët dhe infermierët janë vendosur në vijën e parë të betejës, me një profesionalizëm dhe vetëmohim, që nuk lë vend veçse për admirim dhe mirënjohje të thellë. Çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë. Prandaj, dua të bëj një thirrje publike, për çdo profesionist që ka lidhje me fushën e shëndetësisë, mjek, infermier, farmacist, laborant, profesionist të shëndetit publik, të gjithë Ju që do të ndiheni të gatshëm për të kontribuar për menaxhimin e situatës, për t’i dhënë një dorë, për të shërbyer në sistemin tonë shëndetësor sot është pikërisht dita për ta dhënë këtë kontribut dhe për t’u bashkuar së bashku”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë i është drejtuar edhe studentëve të Mjekësisë.
Rektori i Universitetit të Tiranës, Arben Gjata, i ka ftuar studentët e mjekësisë në universitetet shqiptare, publike apo private për t’iu bashkuar nismës së Ministrisë së Shëndetësisë në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
“Është një moment i rëndësishëm për të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar. Ju padyshim që në të ardhmen do të jeni pjesa më vitale e këtij sistemi, jeni të ftuar të shërbeni që sot. Jeni të mirëpritur të gjithë në këtë sforco të madhe që do të bëjë gjithë shoqëria shqiptare dhe gjithë sistemi shëndetësor shqiptar. Të bëhemi bashkë, t’i japim një dorë të gjithë për ta kaluar sa më shpejt, me sa më pak dhimbje këtë situatë para së cilës ndodhet vendi. Jam i sigurt që kur kjo situatë të kalojë, të gjithë ju që do t’i bashkoheni kësaj nisme do ta ndjeni veten krenar dhe të lumtur”, tha Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.
Kushdo që është i gatshëm të kontribuojë, të aplikojë në të dy portalet: “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” për t’iu bashkuar ekipeve të shëndetësisë përgjatë kësaj kohe të vështirë për të gjithë.