Propozimi i Bashës për kreditë, gati shtyrja e detyrimeve me 3 muaj

Tuesday, 17 Mars 2020 17:41

Bankat duket se po bien dakord për të shtyrë me 3 muaj pagesat e detyrimeve dhe kredive që kanë qytetarët.

Anëtari i kryesisë së PD-së, Eno Bozdo shkruan në Facebook, se ‘me propozim të Lulzim Bashës dhe me dakordësinë e Governatorit, më në fund po mundësohet shtyrja e detyrimeve te kredive bankare për një periudhë tre mujore’.

Sipas Bozdos, Rama iu bashkëngjit këtij propozimi në momentet e fundit.

 

Reagimi i plotë i Eno Bozdos:

 

Një lajm i mirë për ekonominë

Me propozim të Lulzim Bashës dhe me dakordësinë e Governatorit, më në fund po mundësohet shtyrja e detyrimeve te kredive bankare për një periudhë tre mujore. Edi Rama vendosi t`i bashkëngjitej propozimit të Lulzim Bashës në çastin e fundit, pasi vetëm 24 orë më parë e kishte cilësuar këtë propozimin si ‘maskaradë’.

Gjithsesi, fakti që Rama mundi të kapërcejë me sukses mbi kompleksin tij ndaj Lulzim Bashës, meriton të vlerësohet pozitivisht.

Shpresojmë gjithashtu që Guvernatori t'i shkojë deri në fund kësaj mase duke mos u bërë palë e lojës politike.

Ky është një lajm shumë i mirë për bizneset dhe ekonominë në këto çaste vërtet shumë të veshtira që po kalojmë. Është një masë që e kanë zbatuar dhe po e zbatojnë sot të gjitha vendet e BE-së të prekura nga epidemia.

Por të mos harrojmë: në mënyrë që të bëjë efektin e duhur, kjo masë e vlerësueshme duhet të shoqërohet edhe me masat e tjera që kryetari i opozitës ka kërkuar që prej dy javësh. Janë të paktën gjashtë prej tyre të cilat duhet të implementohen urgjentisht. Vetëm kështu, me masat e kombinuara, do të kemi mundësi të ndihmojmë maksimalisht bizneset, punonjësit dhe ekonominë.

Edi Rama sot dha provën e parë që është i aftë t`i tejkalojë komplekset e tij dhe të pranojë propozimet e opozitës. Këtë ushtrim duhet ta bëjë me të gjitha propozimet e tjera të opozitës, me të njëjtin zell që shpall ndalimqarkullimin për qytetarët dhe gjobat që ata do të pësojnë në rast mosbindjeje! Shpresojmë që ai do t`ia dalë!

Login to post comments