Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, tha në një lidhje me “Skype” në News24 se distancohet nga të gjithë ata qytetarë që nuk respektojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit.
Vasili u shpreh se vetëm duke respektuar rregullat mund të mposhtim COVID-19, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që t’iu qëndrojë masave të marra në fillim dhe të mos i ndryshojë ato nga dita në ditë.
“Duhet të priremi fortë drejt një qëndrimi optimist. Unë e kam dënuar gjuhën fataliste të kryeministrit, i cili nuk duhet kurrë të mbjellë një tragjizëm.
Kjo situatë do të kapërcehet dhe masat duhet të shërbejnë për ta kapërcyer. Janë tre barna që po përdoren për trajnimin e COVID-19 dhe duhen përdorur dhe nga mjekët tanë. Në këtë rast që flas me ju jam profesionist, jo nënkryetar i LSI. Duhet të marrim masa të hekurta dhe t’i respektojmë deri në fund. Distancohem nga cdo qytetar, që nuk zbaton rregullat, pasi vetëm rregullat do na bëjë ta kalojmë këtë situatë. Por nuk jam pro fatalizmave”, tha Vasili.
Si i gjykoni masat e qeverisë?
Kam vetëm një vërejtje të fortë, rregullat dhe strategjia e tyre përcaktohen dhe atyre rregullave iu qëndrohet. Ndryshimi i rregullave nuk është në favor të luftës ndaj pandemisë.