Andi Bushati: Hipokrizi në kohë koronavirusi për hapjen e negociatave

E mërkurë, 25 Mars 2020 11:36

Nga Andi Bushati
Vendimmarrja e 27 vendeve të BE që po çon drejt finalizimit të hapjes së negociatave me Shqipërinë, po pritet në vend me përmbajtjen e natyrshme që imponon kriza e koronavirusit. Ajo po tenton t’u “dhurohet” qytetarëve të etur për pak pozitivitet, jo me të gjitha faqet e saj të vërteta. Kështu kryeministtri Rama theksoi se “Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj në mes të një luftë botërore”.
Presidenti Meta përshëndeti vendimin “që konfirmoi qartë perspektivën europiane të Shqipërisë”. Kreu i opozitës Basha theksoi se “Vendet anëtare të BE-së mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ndërsa më entuziaste së të tjerët, Monika Kryemadhi, e cilësoi si “një lajm shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët“.
Në fakt, po të mos ishim nën efektin e pandemsë dhe kompleksit për të mos ulur moralin, situata do të paraqitej krejt ndryshe. “Po” ja që po marrim këto ditë nga Këshilli Europian i ngjan më tepër një fshikullimi. Ajo është ku e ku më e rëndë edhe sesa refuzimi për hapjen e negociatave që na u bë në 2018. Dhe kjo për disa arsye.
Së pari sepse me vendimin e fundit të këshillit të ministrave të vendeve të BE, u vu një ndarje e qartë mes nesh dhe Maqedonisë, e cila e mori miratimin pa asnjë kusht. Së dyti sepse pavarësisht nga lobimi i qeverisë shqiptare, ne nuk na është caktuar asnjë datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, që është realisht momenti i formalizimit të hapjes së negocitave.
Ndërsa në 2018 ne na u vu një afat, fundi i dhjetorit 2019, gjë që e bëri kryeministrtin të bërtiste “e kemi marrë datën”, tani edhe kjo dhuratë na është hequr. Madje gjendja nuk është vetëm më keq se 2018-a, por akoma më e rëndë edhe se shtatori i vitit të kaluar, kur kushtet e Bundestagut gjerman na u dukën si një shpullë e fortë në fytyrën e regjimit monist shqiptar.
Në harkun e gjashtë muajve, atyre kushteve i’u janë shtuar edhe plot 6 të tjerë, që nisen që nga kërkesat për burgosje të politikanëve të lartë, që nga tërheqja e ligjit fashistoid për mediat online, që nga pakësimi pothjuajse i pamundur i azilkërkuesve e deri tek plotësimi i të drejtave të qytetarëve minoritarë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, po të rilexohen 9 pikat e parlamentit gjerman, ato ndaheshin në dy faza. Në të parën, duhej përfunduar vetëm reforma zgjedhore dhe duheshin ngritur dy gjykatat supreme, që Tirana dhe Brukseli të uleshin në tryezën e parë ndërqeveritare, pra në fillimin e procesit negociues. Sot kjo logjikë është rrëzuar. Pas vendimit të tanishëm, që kjo të ndodhë, duhet që në dokumentin e kuadrit negociues të gjejë pasqyrim plotësimi i këtyre 15 kushteve.
Se sa e rëndë është kjo për Shqipërinë, mjafton të përmendet vetëm një fakt: Malit të Zi, konferenca e parë ndërqeveritare mes Podgoricës dhe Brukselit i’u caktua brenda një jave nga thënia e PO-së, ndërsa ne mund të na zgjasë edhe përtej zgjedhjeve të ardhshme, gjithnjë nëse ato zhvillohen në mënyrë korrekte. Pra i gjithë ky kalvar, shërben për të na dëshmuar, se në sytë e qeverive të BE-së, gjendja në Shqipëri është jo vetëm më keq sesa ato e shihnin në vitin 2018, por akoma edhe më rëndë sesa skanimi që i bëri Bundestagu në shtator 2019.
Shkurt, mund të thuhet se “Po” më të hidhur sesa kjo as mund ta kishim imagjinuar. Por, këtë lajm të keq askush nuk po e raporton si duhet. Jemi në kohë koronavirusi dhe morali duhet mbajtur lart, qoftë edhe me çmimin e hipokrizisë./ Lapsi.al

Login to post comments