Presidenti I Republikës Ilir Meta është pyetur nga gazetarët se cilët do të jenë marrëdhëniet e tij me kryeministrit Edi Rama pas tejkalimit të pandemisë së koronavirusit.
Sipas kreut të shtetit, për çështje të interesit kombëtar duhet të ketë gjithmonë bashkëpunim.
“I jam betuar Kushtetutës dhe do ta mbroj atë deri më 24 korrik 2022. Nga pikëpamja kushtetuese për mua nuk ndryshon asgjë, nga dita e parë deri në ditën e fundit të mandatit. Unë besoj se pas kësaj situate do kemi jo një situatë rozë, por një situatë kuqezi. Për çështjet e interesit kombëtar duhet të ketë gjithmonë bashkëpunim. Ky ka qenë qendrimi im i përhershëm. Për mua nuk ekziston asnjë shqetësim politik në këto momente. Shqetesimi im i vetëm është tani të mbrojmë shëndetin e çdo qytetari, të çdo mjeku dhe të gjithë atyre që janë prekur nga koronavirusi”, është shprehur Meta.
Presidenti i Republikës Ilir Meta është pyetur edhe për një tryezë të përbashkët me të gjithë aktorët politikë në vend për të dhënë një mesazh për qytetarët në këtë periudhë të vështirë si pasojë e pandemisë së COVID-19.
I ftuar në “Open” në Tch, kreu i shtetit nënvizoi se mesazhet vizuale janë dhënë nga të gjithë aktorët politikë, por nënvizoi se një “tryezë” e tillë vizuale mund të bëhet për të vlerësuar situatën dhe atë që do të ndodhë më tej.
“Këto mesazhe janë dhënë. Angazhimi i opozitës ka qenë maksimal dhe i të gjithë aktorëve të tjerë. Pa dyshim mund të jetë e nevojshme dhe do të ketë besoj edhe zhvillime të tilla në interes jo thjesht të dhënies së një mesazhi vizual, por për të bërë një vlerësim të situatës ku jemi dhe për të patur një perspektivë më të qartë sipas të gjithë skenarëve qoftë pandemia, qoftë edhe situata ekonomike që ka pasojat e saj”, do të shprehej Meta.
Moment nga mbledhja e sotme, online përmes një video-konference, e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, thirrur nga presidenti i Republikës Ilir Meta, për të diskutuar situatën me COVID-19 në vendin tonë.
Siç është bërë publike tashmë, deri tanë, në Shqipëri numërohen 146 të prekur dhe 5 viktima si pasojë e pandemisë.