Berisha: Testimi i kufizuar është një praktikë kriminale

Diel, 29 Mars 2020 14:40

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se testimi i kufizuar është një praktikë kriminale. Sipas tij, qeveria po kundërshton në mënyrë çnjerëzore urdhrin e OBSH.
“Testimi i kufizuar, praktikë kriminale që ngjet me ekzekutimin e atyre që janë amnistuar me ligj!
Edvin PPP Maska dhe Ndrikull Hajni Maska mbrojnë krimin e tyre të shëmtuar!
Ata me vetëdijë të plotë çnjerëzore kundërshtojnë urdhrin e OBSH; testim, testim, testim, si kusht themelor për kufizimin e infeksionit dhe shpëtimit të qindra jetëve.
Ata, për të mbuluar qëndrimin e tyre të papërgjegjshëm d.m.th mosimportimin për tre muaj rrjesht të tamponëve për testim të gjerë vazhdojnë me këmbëngulje kriminale praktikën e testimit të kufizuar, d.m.th të kufizimit të zbulimit të personave të infektuar duke i dhënë kështu mundësi Covid-19 që të infektojë dhe të sëmurë sa më shumë njerëz!
Agjencia kombëtare e pavarur e lajmeve NOA ka publikuar procesverbalin e komunikimit të dyshes Edvin PPP Maska dhe Ndrikull Hajni Maska me qytetarët.
Në këtë proces verbal faktohet këmbëngulja e tyre kriminale në praktikën e testimit të kufizuar. Ata shprehen se po përdorim praktikën e vjetër të rekomanduar nga OBSH.
Miq, prej dy javësh OBSH urdhëron vendet anëtare: Testim, Testim, Testim sepse u konstatua se kjo praktikë është jetike për të shpëtuar mijëra jetë dhe dominuar epideminë!
Praktika e tyre sot ngjet me qëndrimin e atyre që pranojnë të ekzekutojnë njerëz edhe pasi e dinë se jeta e tyre është falur me një ligj të ri që ka hyre në fuqi! Krim i shëmtuar,” shkruan Berisha
Më poshtë shkrimi i postuar prej tij:
Koronavirusi, Ogerta Manastirliu refuzon të testohet popullates
Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk do që shqiptarët të bëjnë testim për koronavirusin si një mundësi me efekt të shpejtë për ndërprerjen e zinxhirit transmetues të virusit të rrezikshëm.
Në një pyetje-përgjigje me kryeministrin Edi Rama i cili i përcolli kërkesën e qytetarëve shqiptarë, zonja Manastirliu tha se testimi po bëhet me pikatore sepse po zbatohet rekomandimi i vjetër i OBSH edhe pse prej shumë ditësh kreu i OBSH apelon për testim masiv të popullatës kudo në botë.
"Të gjitha testet që zhvillohen në Laboratorin e Virologjisë realiziohen në sajë të një përkufizimi të rastit i cili është rekomandim i OBSH dhe vendim i Komitetit të Ekspertëve Teknikë në MSH", u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, sikurse lexohet në transkriptin e bisedës që qeveria i shpërndau mediave sot pasdreke.
Ajo doli qartësisht kundër apelit për testim masiv, kur tha: "Nëse Komiteti i Ekspertëve merr vendimin për të testuar gjithë popullatën, dhe këtu nuk është çështje buxheti, do na duhej t’i testonim përiodikisht, pasi ai që nuk rezulton sot, nesër mund të rezultojë i infektuar", tha zonja ministre, ish drejtore e QSUT duke qenë kontradiktore me veten, sepse nga njëra anë tha se nuk është çështje buxheti e nga ana tjetër tha se testimet mund të duhet të bëhen më shumë se një herë.
E pas kësaj, Manastirliu dha një parashikim të zymtë për të ardhmen: "Jemi në javën e tretë, kurba do vijojë të rritet, masat që kemi ndërmarrë do të vlerësohen ndoshta jo këtë javë, por në fillimin e javës tjetër rreth datës 13 prill".
Refuzimi i Manastirliut për testim masiv të popullatës nuk hasi në kundërshtime nga kryeministri Edi Rama. /noa.al/

Login to post comments