Koronavirusi/ Eksperti gjerman i ekonomisë: Ndodhemi ende në fillim të krizës. Mund të jetë si ajo e viteve ’30. Ja ndryshimet që priten

Hënë, 30 Mars 2020 09:17

Kriza Korona ka ngjashmëri me ekonomitë e luftës, thotë historiani Albrecht Ritschl në një intervistë për Deutsche Welle. Ajo mund të arrijë përmasat e krizës ekonomike botërore.

DW: Ju jeni historian dhe studioni krizat ekonomike. Në pak javë-cilat janë tiparet qendrore të një krize ekonomike?
Albrecht Ritschl: Rënia e kërkesës, rënia e prodhimit, papunësia masive, kriza financiare dhe më pas shpesh pason një krizë e borxheve të shtetit.

Vërtetë e shpjeguar me pak fjalë. Por në ç’fazë jemi ne në krizën aktuale ekonomike?
Ne ndodhemi në fillim të krizës. Ajo mund të jetë po aq e fortë sa kriza ekonomike botërore e fillimit të viteve tridhjetë të shekullit të 20-të. As një rënie e produktit bruto në vend me rreth 20% nuk mund të përjashtohet. Premisat janë të errëta dhe kjo varet se sa do të zgjasin masat e karantinës.

Ekonomia është paralizuar thuajse tërësisht – të gjitha aktivitetet janë bllokuar. A ka pasur herë tjetër situatë të tillë?
Krahasime është e vështirë të bëhen. I vetmi krahasim i saktë mund të jetë me ekonomitë e luftës. Gjatë luftërave botërore kudo u mbyllën lokalet, dyqanet e vogla dhe ndërmarrjet e zejtarisë. Arsyeja ishte natyrisht, që të liroheshin burime për ekonominë e luftës. Tani nuk e kemi këtë situatë. Megjithatë qysh tani mund ta thuash, se disa sektorë mund të tkurren ngjashëm si në kohë lufte. Gjatë luftërave në sektorë të tillë ekonomia ka rënë deri në 70 përqind.

Sa kohë mund të përballohet një stopim i tillë ekonomik?
Natyrisht që të gjithë hamendësojmë, se kur mund të shkaktohen ngushtica furnizimi apo trazira sociale. Kjo duket se si për rrjedhojë politikanë ndërkombëtarë janë në panik. Më qartë e shohim tek presidenti i SHBA-ve: ai përpiqet të shpëtojë lëkurën e vet, duke premtuar, që pas Pashkëve të rivihet në funksionim ekonomia. Askush nuk e di, se si ai arrin në këtë përfundim. Por shpesh ndodh që kalkulimi politik funksionon ndryshe nga ai i ekspertëve.

A ka shteti fuqi konceptimi në aspektin e politikës ekonomike në situata të tilla?

 

Ajo që shohim tani në nivel ndërkombëtar janë ndihmat e shtetit. P.sh. në SHBA. Edhe në Gjermani ndodh e njëjta gjë në parim. Të tilla masa i njohim edhe nga luftërat botërore. Në thelb kjo është përpjekja e zjarrëfikësit financiar. Eshtë një veprim reaktiv, por jo një pushtet në thelb konceptues. E panjohura e madhe ka të bëjë me masat kufizuese dhe efektin e tyre. A është masa e izolimit më keq se sa sëmundja? Ndërkohë kjo po diskutohet intensivisht.

Shtetet ndërkohë po japin shumë para, madje mund të thuash, se ato po hedhin kartëmonedha të reja në treg. A është inflacioni një rrjedhojë e pashmangshme?
Nuk e dimë nëse është vërtetë kështu. Ekonomistët e kanë parathënë këtë për periudhën pas krizës financiare më 2008. Por ne të gjithë atëherë nuk patëm të drejtë, përfshi edhe mua. Ajo që dua të them, është se ne vërtetë nuk e dimë. Po unë them, që megjithatë rreziku ekziston.

Si e ndryshojnë krizat ekonominë?
Efekti kryesor janë spostimet industriale dhe sektoriale në mënyrën e punës. Shembulli tipik është, që ajo çfarë bëjmë ne tani: Home-Office. Mund ta përfytyroj fare mirë, që një pjesë e madhe do të vazhdojë t’i përmbahet kësaj mënyre të punuari. Të gjitha krizat e mëdha kanë çuar në ndryshimin e mënyrës së prodhimit.

Një shembull për këtë?
Lufta e Parë Botërore: forcimi i aftësisë së gruas për punë, njohja e sindikatave, pranimi i punës tetë orëshe, realizimi i së drejtës së përgjithshme të votës. Në vitet 1930 ka pasur përpjekje të dhunshme për ta ndryshuar këtë kurs. Pas Luftës së Dytë Botërore pamë se si u realizua prodhimi industrial në masë, fuqizimi i shoqërisë së konsumit, aksesi masiv në një arsimim më të mirë. Këto si shembuj tregojnë për ndryshimet pas krizave ekonomike.

A ka faktorë, që ndihmojnë në ripërtëritjen pas një krize?
Forca e mirëfilltë nxitëse për ripërtëritjen pas një krize janë borxhet e shtetit. Nëse një vend para krizës ka pasur relativisht borxhe të ulëta shtetërore – e kësisoj hapësira veprimi në politikat fiskale, – atëherë ai mund të dalë më lehtë nga kriza. Vendet që nuk e kanë këtë situatë, në mënyrë simptomatike pas krizës përballen me borxhet e ekzagjeruara shtetërore. Europa Jugore është shembulli klasik i krizës më 2008, e sërish ky rajon do të ketë situatë të ngjashme.

Pra ju mendoni, që Gjermania është e konsoliduar në këtë drejtim?
Gjermania duke ndjekur politikën e diskutueshme të zero borxheve ka potencial, që ta përballojë në masë të madhe këtë krizë. Pra Gjermania ka një situatë të mirë. Por në Gjermani kemi problemin, se ajo është e ndërlidhur fuqishëm ndërkombëtarisht shumë më tepër, se shumica e ekonomive të mëdha botërore. Kjo do të thotë, që ne më shumë se të tjerët jemi të varur prej fqinjëve tanë e ata duhet të jenë në gjendje të mirë.

Login to post comments