Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një letër të hapur i ka kërkuar falje Italisë, për sjelljen e saj në ditët e para të krizës, në përballimin e pandemisë koronavirus.
Në një letër të botuar në të përditshmen italiane “La Repubblica”, von der Leyen tha që shumë shtet ishin përqëndruar në problemet e tyre në ditët e para të krizës, gjë e cila tha ajo “ishte e dëmshme dhe mund të ishte shmangur”.
“Vetëm solidariteti do të na lejojë të dalim nga kjo krizë,” shkruan von der Leyen në letër. “Distanca midis kombeve evropiane … i vë të gjithë në rrezik. Duhet pranuar që në ditët e para të krizës, përballë nevojës për një përgjigje të përbashkët evropiane, shumë kanë menduar vetëm për problemet e tyre të shtëpisë”.
Letra e Von der Leyen u hap me një ndjesë për Italinë e përfundoi me një listë të mënyrave të ndryshme që BE është tashmë duke ndihmuar Italinë të përballet me pasojat ekonomike të bllokimit të saj tre-javor nga kriza e koronavirusit, shkruan Euractiv.