Pse miqtë e vërtetë të Kosovës janë kundër Grenellit

Tuesday, 07 Prill 2020 16:21

Që prej rrëzimit pas një mocioni mosbesimi të qeverisë së Albin Kurtit, shumë diplomatë, analistë, miq të Kosovës, që kanë mbështetur çlirimin dhe pavarësinë e saj, kanë rritur dozën e fortë të kritikave kundër sjelljes së administratës Trump, mënyrës arrogante si i dërguari amerikan për dialogun me Serbinë, Riçard Grenell, po sillet ndaj shqiptarëve dhe përçarjes që ky ndryshim kursi ka sjellë mes Uashingtonit dhe Brukselit.

Tezat kryesorë që ata nënvizojnë janë, së pari, frika se ekziston një marëveshje e fshehtë për të pasur një zgjedhje që përfundon me shkëmbin teritoresh. Se e gjitha po bëhet nga një arrivist ambicioz si Grenell, për ta përdorur politikisht për fushatën elekrorale të Trump. Se ai po ushtron presion vëtëm mbi njërën palë, shqiptarët, duke i lënë serbët të vazhdojnë me politikat e ç’njohjeve dhe moszbatimit të marëveshjeve të arrituar me Kosovën.

Në të gjitha këto analiza nga zëra autoritarë bie në sy edhe nënvizimi i faktit se ky ndryshim kursi 180 gradë i politikës Amerikane në dëm të Kosovës është mbështetur edhe nga brenda saj, për hir të marëveshjeve që Hashim Thaçi ka bërë me Vuçiçin dhe suportimit qorazi që LDK-ja e Isa Mustafës po i jep atyre.

Lapsi.al i është rikthyer edhe njëherë këtyre qëndrimeve, deklaratave dhe analizave që krijojnë një pamje të plotë se si po kthehet politika zyrtare e SHBA në dëm të Kosovës dhe kush janë faktorët lokalë që po i vijnë në ndihmë asaj.

- James w. Pardew, ish-ambasador i SHBA-ve, zëvendës-ndihmës-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe njohës i Ballkanit, e sheh atë që po ndodh si një hipotëzë se Putini i ka kërkuar Trumpit të sakrifikojë Kosovën. Në një artikull të botuar në The Hill ai shkruan: “Shumë pikëpyetje e rrethojnë misionin e Grenellit në Kosovë.
Pse u dashka që një person me përvojë kaq të kufizuar dhe me një portofol kaq të rëndëishëm detyrash në vendin e tij të merret me negociatat mes dy kundrshtarëve të dobët ballkanas? Pse po mban Grenelli një qëndrim pro-serb në bisedime? Pse SHBA-të po destabilizojnë një vend pro-amerikan në një kohë kaq të ndjeshme?
Diçka mban erë këtu.

Si një luftëtar entuziast i dhënë pas Trampit, Grenelli mund të jetë thjesht duke u përpjekur me gjithë forcat për të kënaqur shefin e vet.
Por dyshoj se këtu bëhet fjalë për diçka më shqetësuese, veçanërisht pas dyshimeve të thella që më mbeten për marrëdhënien mes Trampit dhe Vladimit Putinit. Unë dyshoj — pa pasur prova — se Putini i ka paraqitur Trampit pikëpamjet e tij pro-serbe, i ka theksuar se shqiptarët janë muslimanë dhe më pas i ka kërkuar Trampit ndihmë për negociatat”.

Ndërsa Kurt Bassuener bashkëthemelues i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin dhe Bodo Weber ndihmës i Këshillit për Politika të Demokratizimit, i përqendruar në Ballkanin Perëndimor kanë botuar në “Just Security” një shkrim ku e akuzojnë Grenellin. Për dëmin që i ka shkaktuar kredibilitetit dhe autoritetit moral të SHBA-ve në Kosovë. Ata e kritikojnë atë se me këto politika ka ndikuar në thellimin e hendekut midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, e sidomos të Gjermanisë

- Për qëllime të errëta të kësaj politike tërheqin vëmendjen edhe një grupim intelektualësh të majtë botërorë, kryesisht simpatizantë të Vetëvendosjes, që thonë se gjithë kjo lojë tenton ti imponojë Kosovës, një marrëveshje të padrejtë dhe të rrezikshme me Serbinë. “ Kjo aleancë “e pabesë” ka gjetur një mentor në Richard Grenell, diplomatin Trumpian ortodoks, në kërkimin e sukseseve të lehta të politikës së jashtme që mund të krijojnë përfitime shtesë për fushatën e tanishme të Trump dhe qëndrimin politik. Teknika të famshme të thyerjes së krahut të Grenellit u përdorën për të shtyrë qeverinë e Kosovës të pranonte një marrëveshje të padrejtë dhe të rrezikshme me Serbinë, e cila përfshin ndryshime në kufijtë e tanishëm dhe në këtë mënyrë shpërngulje të njerëzve. Sipas shumë analistëve të Ballkanit, ndryshime të tilla kufitare do të përfshijnë shkëmbime të popullsisë – dhe shumë vuajtje” shkruajnë mes të tjerash ata.

- Edhe profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, i ka drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ku i tregon për rolin aspak pozitiv të Grenellit. “Richard Grenell është një njeri që ka dështuar si ambasador në Gjermani dhe po dështon si Drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare.
Ai gjithsesi po bën një punë “mashtruese” në Ballkan, duke prezantuar marrëveshjet e vogla të transportit si hapa të mëdhenj përpara…Qëllimi përfundimtar i Grenellit është shkëmbimi i tokës/njerëzve, gjë për të cilën administrata Trump po bën presion dhe ju keni treguar shenja se mund të pranoni” shkruan ai duke i rekomanduar Thaçit: “Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe në mënyrë që të marrë një të mirë, në kohën e duhur dhe me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së. Deri atëherë, përmirësimet në rritje janë gjithçka që mund të shpresohet. Arti i qeverisjes kërkon që të inkurajoni qytetarët tuaj të jenë të durueshëm. Gjëra të mira vijnë për ata që mund të presin”.

- Ambasadori amerikan në Serbi, Michael P. Colt, diplomat me 35 vite përvojë, ka bërë një postim në Tëitter “Nuk ka asnjë arsye që Kosova nuk do duhej ta kërkojë trajtimin reciprok të tregtisë së saj me Serbinë. Presioni amerikan në Kosovë në këtë rast është i gabuar”.

Çështja e tarifave për të cilat Grenelli ushtroi presion të madh dhe heqja dorë e amerikanëve për të bërë presion mbi Sebinë për fushatën e çnjohjeve ka shqetësuar edhe një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, kreun e komisionit të politikës së jashtme të kongresit amerikan Eliot Engël. “Presioni i vënë mbi Prishtinën për tarifat e saja është tejet i pabalansuar. Diplomatët serbë janë duke e shëtitur globin, për t’i nxitur shtetet që ta çnjohin Kosovën dhe Serbia është duke i thelluar raportet e saja me Moskën, teksa po blen sasi të konsiderueshme armatimi rus. Në të vërtetë, sipas Ligjit të Sprapsjes së Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA), i miratuar nga Kongresi pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e 2016-tës, këto blerje armësh lypin prej Administratës që të vërë sanksione mbi Serbinë. As që i kemi vënë këto sanksione dhe as nuk e kemi nxitur Serbinë më fuqishëm që t’u japë fund përpjekjeve të veta për çnjohje.

Diçka nuk është në rregull me politikën amerikane dhe ne duhet ta korrigjojmë. Duhet ta fillojmë me ribalancimin e qasjeve tona karshi Serbisë dhe Kosovës”. /Lapsi.al

Login to post comments