Tenderët e zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë së COVID do të jenë objekt i një hetimi dhe verifikimi i prokurorisë së posaçme SPAK.
Sipas asaj që raporton Euronews Albania nga SPAK, po bëhen hetime intensive për prokurimet e drejtpërdrejta të zhvilluara nga Ministria e Mbrojtjes për shkak të gjendjes së emergjencës.
Partia Demokratike kallëzoi në SPAK ministren Olta Xhaçka dhe zyrtarë tjerë duke argumentuar se fituesi i tenderit ishte paracaktuar. Ndërsa për tenderët e zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë, blerja e maskave për personelin mjekësor si dhe blerjen e kiteve të testimit për pacientet e dyshuar se janë prekur me COVID-19 po bëhet një verifikim.
Sipas opozitës, një kit vjen në Shqipëri për 21 mijë lekë të vjetra , ndërsa në Ministria e Shëndetësisë e ka blerë 85 mijë lekë të vjetra. ndërsa mazhoranca ka mohuar akuzat duke sqaruar se kontratat janë të publikuara. Euronews Albania ka kërkuar nëpër publikimet e VKM-ve në Fletoren Zyrtare, por për tenderët në fjalë nuk është publikuar kontrata apo teksti bashkëlidhur siç thuhet në përmbajtjen e VKM.