VOA/ Liria e medias në Shqipëri në rënie, krizat e njëpasnjëshme dëmtuan gazetarët

Saturday, 02 May 2020 20:48

Liria e medias në Shqipëri ka pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm sipas raportimeve të organizatave që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Paketës së ligjeve antishpifje të qeverisë, që rrezikojnë të rrisin kontrollin e qeverisë mbi median on line, i janë shtuar dhe dy krizat e njëpasnjëshme, ajo e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe kriza e Kovd 19. Gëzetarët raportojnë se dhe vetë media si industri ka problemet e saj të hershme sic janë informaliteti apo autoçensura. Ndërkohë përfaqësues të shumicës qeverisëse i hedhin poshtë kritikat për një presion të shtuar të qeverisë ndaj medias.

Organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në botë dhe në Shqipëri vërejnë një përkeqësim të lirisë së medias. Së fundi reporterët pa kufij e klasifikuan Shqipërinë në vendin e 84, dy vende më poshtë se një vit më parë. Për zyrtarët e qeverisë kjo nuk luan rol në lirinë e medias. Ata thonë se 7 vjet me parë kur socialistët erdhën në qeverisje Shqipëria renditej 20 vende më poshtë. Me shqetësim shihen dhe nismat e qeverisë përmes paketës antishpifje, të cilat rrezikojnë të rrisin censurën, thuhet në raport.

“Çështjeve të gangrenizura të informalitetit në media dhe problemeve të tjera që lidhen kryesisht me mosmbulimin e çështjeve sociale të gazetarëve u janë mbishtuar dhe aspekte të tilla siç janë nismat e shumicës qeverisëse për të ashtuquajturën paketë antishpifje, të cilat në thelb nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje e institucioneve politike, për të vendosur një kontroll mbi pushtetin e medias dhe mbi funksionimin plural të saj”- shprehet Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptar.

Që prej nje viti komuniteti i gazetarëve dhe qeveria janë përballuar ashpër për paketën antishpifje për median online. Gazetarët thonë se ato i japin atributet e gjykatës trupave administrative, siç është autoriteti i medias audiovizive.

“Në asnjë rast kjo mazhorancë nuk ka miratuar ligje apo ndryshime ligjore siç është dhe kjo paketë e quajtur antishpifje, pa konsultimin dhe dakortësimin më parë të ndërkombëtarëve, kam parasysh këtu OSBE-në. Përveçse do pritet përgjigje nga ekspertët e Komisionit të Venecias, në të gjitha rastet deri në vendim-marrjen dhe miratimin përfundimtar, patjetër që nëse do ketë vend do ketë dhe reflektim”- thotë Alfred Peza, Sekretar për marrëdhëniet me mediat, PS.

Përfaqësues të komunitetit të gazetarëve në Shqipëri thonë se kanë hasur vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet një shqetësim i vazhdueshëm i tyre sidomos kur bëhet fjalë për vendime me sfond financiar.

“Gazetarët e kanë të vështirë të marrin informacion, sepse kanë ndodhur shumë gjëra në kuptimin e mënyrës së punës. Nga njëra anë është PR, nga njëra anë janë liderët e institucioneve që kanë bërë vetë media përmes rrjeteve sociale dhe nuk kanë nevojë për gazetarë për të ndërmjetësuar me publikun dhe nga ana tjetër ka një përkeqësim gradual dhe të vazhdueshëm të marrjes së informacioneve zyrtare, një e drejtë ligjore. Ka një ligj shumë të mire, por nuk zbatohet”- shprehet Lutfi Dervishi analist.

Kriza e tërmetit të 26 nëntori të vitit të kaluar dhe ajo e COVID-19 e ka përkeqësuar edhe më tej marrjen e informcaionit nga institucionet, thonë gazetarët.

“Në krizën që pasoi tërmetin ne kemi parë kryeministrin t’i krahasojë gazetarët me qentë që lehin, dhe t’i thotë publikut vazhdimisht, mos besoni tek ata. Këto 6 javët e fundit, përsa i takon asaj që ne e kemi quajtur betejë me epideminë e Kovid19, në fakt e ka futur informacionin në karantinë. Gazetarët e kanë shumë të vështirë, në mos të pamundur t’i verifikojnë me burimet e pavarura, informacionet që marrin vetëm nga një burim, ai qeveritar”- thotë Aleksandra Bogdani gazetare e Rrjetit ballkanik të gazetarisë investigative.

Zyrtarët nuk pajtohen me këto qëndrime kur thonë se asnjëherë më parë në media, nuk ka patur një prani kaq të shtuar sa tani të specialistëve dhe analistëve. Por Pandemia e Kovid 19 përforcoi në media një krizë të hershme të saj atë financiare, pasi morën goditje bizneset mbi të cilat ato mbështeten.

“Ne duhet të jemi të ndershëm për diçka, që shumica e kolegëve tanë nuk paguhen në kohë. Është e pamundur që këtë ta konfirmosh sepse informaliteti i madh në çdo fushë të ekonomisë në vendin tonë është shtrirë edhe në media, dhe ky është një paradoks i madh. Kjo do të thotë, se ti mund të referosh problematika, por nuk mund ta provosh asnjëherë sepse kjo është mënyra se si operohet tek ne. Me çfarë kam parë autoritetet janë mjaft të kënaqura me këtë kaos mediatik, sepse e kanë më të lehtë ta administrojnë gjendjen e komunitetit tonë”- shprehet Ben Andoni, gazetar.

Dhe në këto kushte Kryetari i unionit të gazetarëve shqiptarë Aleksandër Çipa vëren një rrezik tjetër. Analisti Lutfi Dervishi sheh disa probleme të hershme në funksionimin e medias në nivel industrie që ka sjellë për pasojë dhe cënim të lirisë së saj.

“Ne shohim një përkeqësim të lirisë së medias në kuptimin e autoçensurës, sidomos në mediat private, ose shohim përdorimin e mediave si instrument për të goditur konkurentët në biznes dhe duke përdorur median si mburojë në varësi të interesave të ditës”- shprehet Lutfi Dervishi, analist.

Unioni i gazetarëve shqiptarë mendon se gazetarët duhet të jetë pjesë e paketave të ndihmës së qeverisë me rastin e krizës së Covid-19, ndërsa zyrtarët thonë se në vijim do të ketë një shtjellim konkret të kësaj situate kritike. Komuniteti i gazetarëve është këmbëngulës dhe mendon se ka ardhur koha për një diskutim të ri dhe të gjerë në media, në lidhje më ringritjen e saj dhe mbrojten nga rreziku i nënshtrimit për shkak të krizave të njëpasnjëshme.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...