“Shpopullimi, problem madhor”, Meta: Shqiptarët meritojnë një sistem përfshirës dhe jo përjashtues.

Hënë, 04 May 2020 19:20

Gazetari: Pastaj doli, po, edhe një video tjetër. Unë kisha renditur, dhe kjo e fundit për grushtin e shtetit që e keni proklamuar si grusht shteti, unë e rendita si betejën e nëntë. Në fakt ju shtuat edhe nja dy-tri të tjera.

Presidenti Meta: Kjo është beteja për mbrojtjen e Kushtetutës që është beteja e parë dhe e fundit e çdo Presidenti për sa kohë ai është në detyrë.

Gazetari: A është kjo beteja më e fortë në të gjithë karrierën tuaj politike Zoti President?

Presidenti Meta: Nuk e di, se nuk mendoj që jemi në fund të karrierës, kështu që...

Gazetari: Duke i krahasuar? Jo, deri më sot po them?

Presidenti Meta: Do të dëshiroja që të ishte e fundit në kuptimin e rivendosjes së normalitet kushtetues, ligjor, politik, ekonomik, shoqëror në vend, sepse kur bëhet fjalë për betejën për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk bëhet fjalë thjesht për të mbrojtur një dokument, por bëhet fjalë për të mbrojtur të gjitha liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë, cenimi i të cilave i detyron ata që të zbrazin vendin tonë siç praktikisht ka ndodhur dhe po ndodh, dhe unë po vij nga një vizitë treditore në rrethin e Kolonjës, një nga zonat më të bukura, një nga perlat e Shqipërisë, kur për fat të mirë pashë disa zhvillime pozitive siç ishte qendra e re e qytetit të Ersekës, që e ka ndryshuar pamjen e qytetit.

Por ajo që më trishtoi shumë dhe që më bind edhe një herë në rëndësinë e bërjes së kësaj beteje për të rikthyer Kushtetutën, ligjshmërinë, normalitetin, shanset e barabarta të qytetarëve, është pikërisht fakti që njerëzit vazhdojnë të largohen, këto zona vazhdojnë të zbrazen dhe kjo është shokuese për të ardhmen tonë.

Dhe ato investimet që ju përmendët dhe që unë i përmenda mbeten pa vlerë, sepse mbeten pa njerëz, nëse do të vazhdojmë kështu.

Të mos harrojmë që bëhet fjala për një trevë me resurse të jashtëzakonshme, që dikur para shekujsh ka qenë e zhvilluar gjithë zona e Leskovikut, Kolonja e më këtej, është zona apo krahina që sa i takon Rilindjes Kombëtare, nuk ka një të dytë përsa i takon aq shumë figurave, personaliteteve që kanë bërë aq shumë për gjuhën tonë, për Kongresin e Manastirit dhe për alfabetin tonë, dhe për Pavarësinë tonë.

Nuk është vetëm kaq: Kjo është një zonë me potencial të mrekullueshëm!

Ky është një problem i madh. Duhet të rikthejmë besimin e njerëzve për të qëndruar këtu, për t’u kthyer këtu dhe për të zhvilluar vendin tonë.

Gazetari: Më ngacmuat me këtë. Shumë e vërtetë ajo që thatë ju: Ajo zonë ka nxjerrë korifenjtë e mendimit shqiptar: Dy prej tyre janë më të mëdhenjtë e të mëdhenjve si Fan Noli dhe Konica. I kanë aty rrënjët.

Presidenti Meta: Edhe të Kishës Ortodokse.

Gazetari: Po edhe ata ikën!

Presidenti Meta: Ata ikën për arsye të ndryshme. Ikën, u kthyen dhe më pas ikën për arsye të sistemeve përjashtuese që u vendosën në Shqipëri. Dhe kjo është arsyeja që duhet të kuptojmë sot se nëse nuk do të ketë një Kushtetutë të respektuar nga të gjithë, të pranuar nga të gjithë, në se do të kemi një sistem përjashtues, atëhere njerëzit do të vazhdojnë të ikin! Duhet një sistem përfshirës, garantues, që ofron siguri juridike, por edhe që ofron mundësi për të gjithë, jo vetëm për një pakicë.

Gazetari: Ju jeni President i Republikës. A mund të bëni ju diçka që jo vetëm kolonjarët të kthehen në trojet e tyre, por edhe shqiptarë të tjerë që janë larguar...? Cila është ajo metodë se si njerëzit mund të kthehen Zoti President, se ju nuk jeni në nivele të ulta?

Presidenti Meta: Nuk është një sipërmarrje e vetëm një institucioni apo e një individi. Është një sipërmarrje e të gjithëve. Dhe për këtë kërkohet reflektimi dhe angazhimi i të gjitha institucioneve dhe i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kërkohen programe në radhë të parë për t’u ofruar siguri atyre që janë këtu që të mos vazhdojnë të ikin me këtë trend frikësues dhe gërryes për vendin tonë. Dhe së dyti, programe për rikthimin dhe për riintegrimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët besojnë se një të ardhme më të mirë, do ta kenë në vendin e tyre. Sepse kudo që të shkojnë mund të gjejnë gjithçka, mund të gjejnë paga më të mira, por nuk do të gjejnë dot atdhe.

Gazetari: A mund ta ndani me shikuesit një detaj se ku e ndietë veten keq si President, ku patë zbrazëti, etj., etj.?

Presidenti Meta: Po, mund ta them shumë qartë. Vizitova familjen e ish-kryetarit të Bashkisë së Kolonjës, i cili ka qenë një miku im dhe ka bërë shumë për Kolonjën, Arben Malo. E takova, piva një kafe te dy prindërit e tij. Të kaloj në Kolonjë e të mos ndaloj atje është diçka e vështirë. Ata më thanë së nga familja e tyre vetëm ata të dy kishin ngelur aty dhe gjashtëmbëdhjetë të tjerë kishin përfunduar në Britaninë e Madhe. Dhe ky nuk ishte i vetmi rast, dhe shumë e shumë raste të tjera.

 

Isha në Shelegur, që është një nga perlat turistike të Kolonjës, është midis Gërmenjit dhe Leskovikut, asgjë tjetër më të bukur nuk ka në zonat alpine të Zvicrës apo të Austrisë, dhe atje mësova që një sipërmarrës, i cili po investonte për të krijuar një fermë me lopë, ishte i detyruar për shkak, më shumë të mungesës së njerëzve, që jonxhën ta sillte nga Myzeqeja për lopët në Kolonjë, sepse kishte shumë pak njerëz që mund të punonin, që mund të shërbenin dhe që mund të përfitonin nga kjo përpjekje për të zhvilluar një biznes atje.

Pra kjo nuk është vetëm në Kolonjë. Jam i bindur që kjo është edhe në shumë krahina të tjera, por Kolonja ka burime jashtëzakonisht të mëdha, sidomos për zhvillimin e blegtorisë, të agro-turizmit, ka pika turistike të panumërta, që mund të kthehen në një potencial të madh për të gjithë vendin, jo vetëm për komunitetin atje.

Login to post comments