Eksperti i ekonomisë pranë PD, njëkohësisht pedagog pranë Universitetit Luarasi Mateo Spaho në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24” deklaroi se në vetëm 1 muaj gjatë pandemisë së koronavirusit, 61 mijë njerëz kanë humbur vendin e punës në Shqipëri.
Spaho tha se shifra është alarmante, duke shtuar se edhe ndihmat që jep qeveria janë të pamjaftueshme.
“Edhe bota ka krizë. Edhe në Itali parashikohet krizë ekonomike, me ulje prej 10 përqind. Duhen krijuar korridore të qeverisë sonë me qeverinë italiane e tjera për të bërë të mundur uljen e turistëve të huaj në vend. Vendet e punës duhen ruajtur. Shqipëria ka humbur 61 mijë vende pune në vetëm 1 muaj ose 6 përqind të të punësuarve në Shqipëri ose ka krijuar papunësi prej 16 përqind.
Aq më tepër që punonjësit nuk janë të mbrojtur. Në rastin e Shqipërisë kemi fenomenin e papunësisë që mund të bëhet edhe më keq në vazhdim. Qeveria duhet të harxhojë më shumë para për qytetarët dhe bizneset. Banka Botërore e BERZH ka dhënë borxhe pikërisht për këtë arsye”, tha Spaho.
Mateo Spaho theksoi se Banka Botërore e FMN-ja kanë parashikuar rrezik real për ekonominë shqiptare. Ai dha rekomandime si mund të dilet më mirë nga kjo situatë pandemie.
“Banka Botërore ka thënë se Shqipëria ka rrezik nga pikëpamja ekonomike. Edhe FMN ka thënse se recensioni në Shqipëri mund të shkojë deri 5 përqind. Muaji qershor është kompromentuar në këtë sens, sepse edhe turistët vijnë gjatë verës. Unë them se jemi në fillim të sezonit. Unë mendoj se ka një problem këtu likuiditeti. Nëse bëjmë një krahasim, në Maqedoni të Veriut dhe Kosovë kanë derdhur më shumë para se ne, as 1 përqind të GDP-së.
Ndihmat ekonomike të qeverisë janë minimale. Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë marrë vetëm 40 mijë lekë, që janë të pamjaftueshme. Nëse vijmë tek biznesi i madh, këtu kemi problem. Biznesi i madh përfaqëson vërtetë 4 përqind të sipërmarrjes në Shqipëri, por përbën pjesën më të madhe të ekonomisë në vend”, u shpreh Spaho.