Paketa anti-Covid,BB: borxhi i lartë nuk i lë hapësira Shqipërisë dhe Malit të Zi

Premte, 08 May 2020 09:48

Niveli i lartë i borxhit publik, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i llogarisë korente nuk i jep shumë hapësirë vendit për politika nxitëse fiskale. Shqipëria alokoi më pak fonde si mbështetje direkte tek qytetarët e saj në paketat e ndihmës anti-COVID, me vetëm 0.86% të PBB-së, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë marrë masa mbrojtëse për menaxhimin e krizës që krijoi pandemia COVID, duke siguruar mbështetje direkte, me fonde për bizneset dhe qytetarët. Instrumentet e përdorura janë të ngjashme dhe përfshijnë programe të subvencionimit të interesave të kredive, shtyrje të afatit të pagesave të taksave dhe kredive ose subvencionimi i pagave për bizneset e prekura. Planet e masave zënë nga 1 deri në 7% të PBB-së në secilin nga gjashtë vendet.
Por nga pagesat direkte, në llogaritë e qytetarëve dhe bizneseve tregojnë se Serbia ofroi mbështetjen më të madhe për bizneset dhe qytetarët e saj, ndërsa Shqipëria më të ulëtën. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, fondet direkte, si pagesa te shtresat në nevojë dhe qytetarët që humbën punën si dhe bizneset që rrezikuan falimentin në Shqipëri ishin sa 0.86% e PBB-së në vend, rreth 11 miliardë lekë (97 milionë euro).
Kjo shumë u shpërnda nëpërmjet dy paketave. Në paketën e parë do të përfitonin pagë minimale 26 mijë lekë, rreth 60 mijë persona që humbën punën nga kriza. Nga paketa e dytë do të përfitojnë një pagesë të vetme 40 mijë lekë, 176 mijë punonjës, kryesisht të bizneseve të mëdha.

Mbështetjen direkte më të madhe e dha Serbia me 3,2% të PBB, teksa e gjitha paketa, duke përfshirë garancitë për kredi të bizneseve dhe shtyrjet e taksave ishte mbi 6% e PBB-së. Në Bosnjë, mbështetja direkte arriti në 1.5% të PBB-së dhe në Maqedoni 1,2% të PBB-së.

Hisen Xhemaili, ministër për Çështjet Vendore në Maqedoni, tha se, paketa e mbështetjes direkte është 200 milionë euro. Kjo shumë, sipas tij, është shpërndarë në rreth 250 mijë të punësuar, duke kompensuar pagën minimale prej 230 eurosh. Xhemaili tha se pjesa më e madhe e paketës ka shkuar për mbështetje direkte, ndërsa shtoi se, rreth 95 milionë euro janë garanci që qeveria i ofron ndaj bankave që të kreditojnë biznesin me interesa jo më shumë se 1.5%.

ë raport me PBB-në e saj, Kosova dha një paketë të konsiderueshme ndihme, prej 170 milionë eurosh, e cila pothuajse shkoi si pagesa direkte në llogaritë e punonjësve që humbën punën dhe shtresat në nevojë. Kjo shumë ishte sa 2.5% e PBB-së së Kosovës. Pjesa më e madhe shkoi si pagesa shtesë në vlerë prej 30 euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, të cilët marrin pagesë mujore në vlerë më të ulët se 100 euro, për muajin prill, maj dhe qershor.

Gjithashtu fondet u përdorën për mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve, në vlerë prej 170 eurosh, për muajin prill dhe maj. Mirëpo Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, vlerësoi se ekonomia e Kosovës do të pësojë dëme të mëdha nga koronavirusi. Ai mendon se Kosovës i duhen rreth 1 miliard euro për të rimëkëmbur ekonominë pas pandemisë. Gjithashtu, Bosnja dha fonde për pagesa direkte rreth 1,5% të PBB-së, ndërsa e gjithë paketa e ndihmës ishte 2,3% e PBB-së.

Përgjithësisht, vendet e rajonit pjesën e ndihmës direkte që shkoi në llogaritë e qytetarëve e kishin më të madhe se mbështetjet indirekte që përfshinë shtyrje të taksave dhe garancitë sovrane. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, tha se, paketa shqiptare anti-COVID ka mbështetje të kufizuar me fonde të drejtpërdrejta, duke qenë se vendi ynë ka rendimet të ulët fiskal në raport me vendet e tjera dhe një nivel më të lartë borxhi.

Grumbullimi i të ardhurave buxhetore në rreth 27% të PBB dhe një borxh publik më i lartë se 65% e PBB-së para krizës, nuk i krijojnë hapësira për mbështetje direkte qeverisë shqiptare në raport me rajonin. Por Jaka tha se, bizneset shqiptare nuk po mund të përfitojnë as nga garancia sovrane, nga frika e përballjes me konfiskimin në rast se nuk shlyhen kreditë.
Banka Botërore: Borxhi i lartë nuk u lë hapësira Shqipërisë dhe Malit të Zi

Mali i Zi dhe Shqipëria janë dy shtetet me borxhin më të lartë në raport me prodhimin e brendshëm bruto, përkatësisht 79% dhe 66% të PBB-së. Shqipëria dhe Kosova janë nga ana tjetër dy shtetet me të ardhura më të ulëta në raport me PBB-në. Kjo kufizon hapësirat e tyre për politikë nxitëse fiskale. Pavarësisht performancës relativisht të mirë gjatë viteve të fundit në mbledhjen e të ardhurave, fakti që të ardhurat në rajon ndjekin ato në Eurozonë gjithashtu kufizon hapësirën fiskale për reagim ndaj krizave krahasuar me ekonomitë e përparuara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Kosovën dhe Shqipërinë, tha banka.

Disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor hynë në këtë krizë me disbalanca të brendshme dhe të jashtme të larta. Madhësia e borxhit publik në Shqipëri dhe Mal të Zi zvogëlon hapësirën fiskale për reagime ndaj krizës. Gjithashtu, deficitet e llogarisë korrente janë të larta në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, duke rritur
ekspozimin e tyre ndaj financimit të jashtëm.

Banka Botërore analizoi se, ndërkohë që të gjitha vendet kanë adoptuar masa për menaxhimin e krizës me qëllim zbutjen e efekteve të kërkesës mbi të ardhurat nga puna dhe falimentimin e firmave, vende si Serbia, të cilat kanë më shumë amortizatorë fiskalë, kanë mundur të financojnë programe më të mëdha mbështetëse. Që prej shpërthimit të COVID-19, shumë vende, përfshirë Ballkanin Perëndimor, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Megjithëse BH, Kosova dhe Mali i Zi nuk e kanë shpallur zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme, ato kanë adoptuar masa të rrepta të distancimit social dhe izolimit në shtëpi. Shqipëria, edhe pse është një nga vendet më të prekura në rajon nga kriza e pandemisë COVID, ka aplikuar alokimet direkte më të ulëta në raport me vendet e rajonit.

Garancia sovrane e papreferuar

Paketa e Shqipërisë, e cila dominohet nga garancitë sovrane më shumë se 200 milionë euro, nuk po rezulton shumë efektive për shkak të ngurrimit që kanë bizneset për t’u ngarkuar me kredi që nuk mund t’i shlyejnë. Për më tepër, masa e konfiskimit, në rast se kreditë e garantuara nga qeveria nuk shlyhen, ka krijuar ngurrim te bizneset shqiptare për të përfituar nga këto fonde.

Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve, tha se mekanizimi i garancisë sovrane nuk është i qartë dhe bizneset nga shoqata e tij nuk kanë aplikuar për të përfituar nga instrument, pasi i tremben dhe marrjes së aksioneve nga shteti, në rast mospagese. Edhe bankat presin që bizneset të shfrytëzojnë rreth 30% të fondit për shkak të hezitimit të tyre për të rritur ngarkesën me borxh në një situatë ku e ardhmja është e pasigurt.

Paketa e Shqipërisë, mbështetja direkte 0,86% e PBB-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar analizoi së fundmi paketat e ndihmës për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Shqipërisë ka miratuar dy paketa mbështetëse për njerëzit dhe bizneset e prekura nga pandemia e COVID-19, me një madhësi të kombinuar prej 45 miliardë lekësh (2.8% e PBB-së) që konsiston në shpenzime buxhetore, garanci sovrane dhe shtyrje të taksave, analizoi Fondi Monetar Ndërkombëtar. Paketa e parë, e miratuar më 19 mars, përmes një akti normativ kishte masa mbështetëse prej 23 miliardë lekësh (1.4% të PBB-së) përmes një kombinimi të rialokimeve të shpenzimeve, rritjeve të shpenzimeve dhe garancive sovrane për të mbështetur bizneset e prekura.

Masat kryesore janë:

-fonde shtesë për sektorin e shëndetësisë në vlerë prej 3.5 miliardë lekësh

-6.5 miliardë lekë për mbështetjen e bizneseve të vogla / të vetëpunësuarve që u detyruan të mbyllin aktivitetet për shkak të pandemisë COVID-19, duke u paguar atyre pagat minimale (deri në dy në rastin e bizneseve familjare me familjarë të papaguar), dyfishim të përfitimeve të papunësisë dhe formave të ndihmës sociale.

-2 miliardë lekë ishin shpenzime për skemat e mbrojtjes sociale

-11 miliardë lekë (0.6% e PBB-së) fondi i garancisë sovrane për kompanitë që nëpërmjet sistemit bankar të paguanin pagat për punonjësit e tyre deri në 3 muaj, me një normë interesi maksimumi 2.85%, për një maturim deri në 2 vjet.

Duke filluar nga prilli, ministrat e kabinetit dhe ligjvënësit do të marrin gjysmën e pagave të tyre për tre muajt e ardhshëm dhe kursimet do të shkojnë në fondin e mbështetjes sociale anti-COVID-19.

Paketa e dytë e ndihmës përfshin fondin 7 miliardë lekë (0.4% të PBB-së) për të paguar një transferim të njëhershëm prej 40,000 lekësh për punonjësit e bizneseve të vogla të prekura nga pandemia që nuk përfshihet në paketën e parë. Paketa e dytë miratoi gjithashtu një garanci sovrane prej 15 miliardë lekësh (0.9% e PBB-së) për të siguruar kredi për kapital qarkullues për sektorin e turizmit, si dhe kompani eksportuese. Qeveria do të përballojë kostot e interesit.

Qeveria ka miratuar gjithashtu masa të shtyrjes së taksave, duke lejuar të gjitha kompanitë (përveç bankave, telekomunikacionit, ndërmarrjeve publike dhe kompanive në zinxhirin e furnizimit të mallrave thelbësorë) të shtyjnë pagesën e taksës së fitimit deri pas shtatorit. Turizmi, përpunimi aktiv dhe qendrat call center me qarkullim prej 14 milionë lekësh ose më pak, mund të shtyjnë pagesat e taksës së fitimit për vitin e ardhshëm.

Për të adresuar pengesat e likuiditetit të kompanive dhe individëve, Banka e Shqipërisë njoftoi një ndryshim të përkohshëm të kërkesave të provizionit, efektive nga 12 marsi deri më 31 maj, duke u mundësuar klientëve të kërkojnë nga bankat dhe institucionet e tjera financiare që të shtyjnë këstet e kredisë pa gjobitje. Më 25 mars, Banka e Shqipërisë uli normën e saj kryesore të politikës – repoja javore, me 50 pikë bazë në një minimum të ri historik prej 0.5%. Guvernatori njoftoi se sektori bankar është likuid dhe mjaft i kapitalizuar, dhe banka qendrore është e gatshme të sigurojë likuiditet të pakufizuar për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Banka e Shqipërisë pezulloi shpërndarjen e dividentëve për vitin 2019 dhe 2020 për bankat deri në fund të qershorit, me qëllim rritjen e kapitalit dhe kreditimit mbështetës gjatë kësaj periudhe. Banka qendrore gjithashtu përgjysmoi pagat e bordit mbikëqyrës dhe menaxhmentit të saj të lartë për kohëzgjatjen e pandemisë.
Për të nxitur përdorimin e bankingut në internet dhe për të zvogëluar numrin e njerëzve që kërkojnë shërbime në ambientet e bankës, banka qendrore gjithashtu hoqi dorë nga komisionet për pagesat në monedhën vendase.

snja, 1,5% e PBB pagesa direkte në llogaritë e qytetarëve

Qeveria në Bosnjë fillimisht miratoi 50 milionë marka të konvertueshme (KM) sa 0.15% të PBB-së për COVID-19. Kjo shumë përfshin blerjen e pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore. Federata e B&H transferoi 30 milionë KM (0,1% të PBB-së) në spitale. Republika Srpska (RS) njoftoi se fondi shëndetësor do të mbulojë kostot e kujdesit shëndetësor për të gjithë pacientët dhe ka shtyrë pagesat për taksën e biznesit nga fundi i marsit deri në fund të qershorit.

Republika Serpska vendosi të mbulojë TAP dhe sigurimet për rreth 40,000 punëtorë në sektorët që janë mbyllur, me vendim të qeverisë nga marsi deri në maj (50 milion KM, 0.15% e PBB-së). Republika Serpska gjithashtu njoftoi se qeveria do të paguajë pagat minimale për të gjithë punonjësit në këta sektorë në prill (53 milionë KM, 0.16% e PBB-së) dhe po planifikon të rrisë pagesat në fondet e papunësisë (25 milionë KM, 0.08% e PBB-së).

Federata e B&H planifikon të subvencionojë kontributet dhe taksat dhe të paguajë paga minimale për të gjithë punonjësit e kompanive të prekura nga COVID-19 me një shumë totale rreth 1 miliard KM (3% e PBB-së) që do të sigurohet për të mbështetur ekonominë, përmes një fondi të veçantë për të stabilizuar ekonominë (500 milionë KM, 1.5% e PBB-së); dhe krijimin e një fondi garancie në Bankën e Zhvillimit (deri në 500 milionë KM, 1.5% e PBB-së) i cili do të përdoret për të përmirësuar likuiditetin e kompanive. RS po zhvillon gjithashtu një skemë të garantimit të kredisë.

Bankat në Bosnjë kanë njoftuar një moratorium 6-mujor për shlyerjen e kredive. Bankat gjithashtu udhëzohen të marrin në konsideratë lehtësim shtesë, duke përfshirë rishikimin e tarifave aktuale për shërbimet dhe shmangien e tarifave për të trajtuar modifikimet e ekspozimit. Të gjitha bankat u urdhëruan të mos paguanin dividentë ose shpërblime.

Serbia, 3,2% e PBB pagesa direkte

Serbia është vendi në rajon që ka paketën më të madhe nxitëse për të përballuar pasojat e pandemisë.
Masat fiskale të miratuara deri tani arrijnë në rreth 330 miliardë dinarë serbë (RSD) ose sa 6% e PBB-së.
Plani i stimulit fiskal të ofrojë rreth 5.2 miliardë euro(nga të cilat 2.1 miliardë euro janë garanci për kredi) në shtyrjen e taksave; subvencione në para dhe kredi dhe garanci për biznese

Masat kryesore përfshijnë:

-rritjen e pagave për 10% për sektorin publik të kujdesit shëndetësor (13 miliardë RSD) dhe rritjen e shpenzimeve ndaj kujdesit shëndetësor (rreth 12 miliardë RSD);

-pagesa e njëhershme për të gjithë pensionistët (7 miliardë RSD);

-transferimi i 100 eurove në llogaritë e secilit qytetar mbi 18 vjeç (rreth 70 mld RSD);

-shtyrja tremujore e taksave të punës dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore për të gjitha kompanitë private, që do të paguhen në 24 këste, duke filluar nga viti 2021 (100 miliardë RSD);

-Shtyrje e pagesave të vonuara të tatimit mbi të ardhurat personale dhe sigurimeve shoqërore deri në 2021;

-subvencione për paga, përfshirë pagesën e pagave minimale për të gjithë punonjësit e NVM dhe sipërmarrësit për tre muaj (93 miliardë RSD) dhe pagesa e 50% të pagës minimale neto për tre muaj për punonjësit në ndërmarrje të mëdha të sektorit privat dhe për punonjësit që aktualisht nuk po punojnë. Masat e tjera përfshijnë një moratorium 3-mujor për borxhin tatimor. Është miratuar një skemë e garancisë shtetërore për kreditë bankare për NVM (240 miliardë RSD), si dhe kredi të reja për NVM nga Fondi i Zhvillimit (24 miliardë RSD).

Më 12 mars, Banka Kombëtare e Serbisë uli normën bazë të interesit nga 2.25% në 1.75%. Pagesat e kredisë u shtynë për tre-muaj.

Mali i Zi, mbështetet turizmi dhe bujqësia

Qeveria e Malit të Zi miratoi më 23 prill 5 milionë euro për të mbështetur sektorin e turizmit.
Më parë, më 9 pill, qeveria njoftoi një paketë masash, duke përfshirë:

-subvencione në prill dhe maj të 70% të pagës minimale për punonjësit në sektorët që janë mbyllur për shkak të pandemisë,

-subvencion prej 50% të pagës minimale për punonjësit në sektorë në rrezik për shkak të bllokimit;
-subvencion prej 70% të pagës minimale bruto të punëtorëve të sapopunësuar në NVM për gjashtë muaj, nëse ishin regjistruar si të papunë;

-moratorium gjashtëmujor për taksat e kompanive të mbyllura;

-dyfishim i subvencioneve të energjisë për familjet në nevojë.

-ndihmë për sektorin e bujqësisë dhe peshkimit, përfshirë ndihmën e njëhershme për peshkatarët dhe pagesa për kontributet e punëtorëve të siguruar bujqësorë;

-ndihmë një herë 50 EUR për të gjithë personat e regjistruar si të papunë në Agjencinë e Punësimit të Malit të Zi.
Më herët, në fillim të pandemisë gjatë marsit, Mali i Zi mori këto masa;

-heqjen e akcizës ndaj alkoolit mjekësor në farmaci;

-krijimin e një linje krediti të Fondit për Zhvillimin e Investimeve (IRF) prej 120 milionë euro për të përmirësuar likuiditetin e sipërmarrësve;

-shtyrja e pagesave të qirasë për pasuritë e paluajtshme shtetërore;

-ndihmë e njëhershme financiare prej 50 mln eurosh për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

-dhe një rritje në pagat e muajit mars të punonjësve të kujdesit shëndetësor deri në 15% (janë ndarë 0.5 milion EUR).

Banka Qendrore e Malit të Zi miratoi një moratorium për shtyrje të shlyerjes së kredive për një periudhë deri në 90 ditë. Bankat gjithashtu lejohen të ristrukturojnë kreditë dhe t’i riklasifikojnë ato si kredi të reja, duke zgjatur gjithashtu periudhën e ripagimit deri në dy vjet, nëse pozicioni financiar i huamarrësit është ndikuar nga pandemia.

Është bllokuar ndarja e dividendit për aksionerët e bankave dhe gjithashtu lejohen bankat të rrisin ekspozimet ndaj një personi ose grupi përtej kufijve të parashikuar.

Maqedonia e Veriut, 1,2% e PBB-së pagesa direkte

Qeveria e Maqedonisë së Veriut zbatoi në mars një paketë fiskale (0.2% të PBB-së) për të ndihmuar në problemet e likuiditetit të firmave dhe mbrojtjen e vendeve të punës, për sektorët e prekur si transporti, hotelet dhe restorantet për tre muaj, duke filluar nga prilli. Masat përfshijnë subvencion për kontributet e sigurimeve shoqërore, shtyrjen e pagesave të tatimit mbi fitimin, duke pezulluar detyrimet e parapagimit bazuar në të ardhurat e vitit të kaluar, dhe ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për bizneset nga Banka e Zhvillimit, duke ofruar kredi me normë zero të interesit.

Një paketë shtesë e masave fiskale u njoftua më 1 prill. Kjo paketë alokoi një subvencion page të barabartë me pagën minimale për kompanitë e prekura për t’i ndihmuar ata të mbajnë në punë punonjësit. Kjo paketë ishte rreth 1% e PBB-së së Maqedonisë. Gjithashtu, familjet e cenueshme, që ishin pjesë e ekonomisë informale dhe humbën të ardhurat e tyre, do të marrin ndihmë financiare. Më në fund, fondet shtesë do të vihen në dispozicion nga Banka e Zhvillimit për bankat tregtare me kushte të favorshme. Qeveria ka zbatuar gjithashtu kontrollet e çmimeve për produktet bazë ushqimore, ilaçet dhe produktet e dezinfektimit.

Norma bazë e interesit u ul me 0.25 pikë. Banka Qendrore ka rishikuar rregulloren e saj të rrezikut të kredisë, për të inkurajuar bankat që të ristrukturojnë përkohësisht huatë dhe janë lehtësuar standardet e klasifikimit të huasë për NPL.

Kosova, 2.5% e PBB-së pagesa direkte

Paketa e masave të qeverisë së Kosovës përfshin;

-alokimin e 6 milionë eurove për Ministrinë e Shëndetësisë;

-shtyrje të taksave për bizneset

-avancimin e pagesave për skemat e ndihmës sociale me një shumë mujore shtesë

-heqjen e TVSH-së në importet e grurit dhe miellit;

-shtyrjen e pagesave të shërbimeve publike deri në fund të prillit.

Një paketë fiskale në vlerë 170 milionë euro (2.5% e PBB-së) u miratua nga qeveria dhe janë pagesa direkte për bizneset dhe familjet e prekura.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës, vendosën të pezullojnë pagesën e kredive për bizneset dhe individët, duke filluar nga 16 marsi deri më 30 prill. Ky pezullim mund të zgjatet në varësi të situatës./MONITOR

Login to post comments