Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi ka zhvilluar sot një takim pune me Ambasadorët e Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë.
Presidenti Meta dhe Ambasadorët e vendeve të rajonit, të akredituar në Tiranë, shkëmbyen informacione dhe mendime në lidhje me situatën e pandemisë COVID-19 në secilin vend.
U vlerësua se masat e ndërmarra nga vendet tona treguan efikasitet dhe së bashku duhet tashmë të koordinojmë veprimet për të hyrë në një fazë të re të zbutjes të masave kufizuese.
Një hapje graduale dhe e kujdesshme e kufijve, si dhe lehtësimi i masave shtrënguese do t’i jepnin frymëmarrje dhe impuls ekonomisë në përgjithësi, dhe turizmit në veçanti, si një degë e rëndësishme e ekonomisë së vendeve tona.
U vlerësua gjithashtu edhe mbështetja reciproke në këtë periudhë pandemie, si dhe u shpreh mirënjohja për solidaritetin dhe asistencën e Bashkimit Europian për të gjitha vendet tona për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Presidenti Meta theksoi se pandemia dhe tërmeti që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar treguan sa të rëndësishme janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. “Fqinjët na u gjendën të parët pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit”, - theksoi Kreu i Shtetit.
Ne duhet të punojmë vazhdimisht, vijoi ai, për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat, duke ju referuar veçanërisht bashkëpunimit në fushat e emergjencave civile.
Gjatë takimit u shprehën gjithashtu falenderime për Presidencën kroate të BE-së, për organizmin e Samitit virtual të BE-së të 6 majit dhe mesazhet inkurajuese që ai dha në drejtim të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Meta theksoi se, pavarësisht pandemisë COVID-19, Shqipëria do të mbetet e fokusuar në plotësimin në kohë të të gjithë kushteve që Këshilli ka përcaktuar për vendin tonë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.