TIRANË
Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar sot me ambasadorin e BE-së në Tiranë Luigi Soreca. Meta shpreh kënaqësinë për këtë takim në Ditën e Europës dhe thekson se Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues.
Kreu i Shtetit thotë se nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit dhe iu bën thirrje të gjithë aktorëve të përmbushin detyrimet e tyre për një përparim të besueshëm e të qëndrueshëm në secilin prej 15 kushteve.
“Kënaqësi të takohesha sot në Ditën e Europës me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, zotin Luigi Soreca.
70-vjet pas Deklaratës së Shumanit Bashkimi Europian mbetet projekti më frymëzues. Fuqia e tij buron nga vlerat themelore të lirisë, demokracisë dhe solidaritetit.
Shqipëria është sot një vend kandidat i Bashkimit Europian, që gëzon përkrahjen më masive e të palëkundur të qytetarëve në procesin e saj të integrimit.
Nuk duhet humbur asnjë minutë për të zbatuar me shpejtësi të gjitha kushtet për nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit, duke u përqendruar tek ndërtimi i një demokracie funksionale dhe sundimi i ligjit, sikundër theksoi dhe deklarata e Zagrebit”, shkruan Meta.