“Zëri Amerikës”: Sondazhi tregon se qytetarët nuk besojnë te qeveria, ka korrupsion dhe reforma në drejtësi jo transparente

Tuesday, 12 May 2020 16:18

Mosbesimin më të madh ndaj reformës në drejtësi e kanë moshat deri në 30 vjeç, të arsimuar e në fillim të karrierës. Ata u shprehën se “reforma po bëhet sa për sy e faqe”, se “ajo nuk ka ndikim të vërtetë”, se “kjo reformë është proces selektiv, ku po ndëshkohen disa për t’u shërbyer atyre, që kanë mbështetje të fuqishme”

Nga “Zëri Amerikës”-

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim publikoi sot në Tiranë Sondazhin e Opinionit Publik mbi Besimin në Qeverisje.
Sondazhi zbuloi një besim të ulët dhe në rënie të qytetarëve ndaj gjithë institucioneve shtetërore e politike në vend, si dhe tek reforma në drejtësi.
Në raport thuhet se një në dy shqiptarë duan të ikin nga vendi dhe perceptimi i tyre për korrupsionin shtetëror mbetet i lartë.

 

Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim u shtri në 61 bashki të vendit mblodhi vlerësime të ulëta nga qytetatër për nivelin e besimit tek qeveria, parlamenti, presidenti, partitë politike dhe tek drejtësia.
Të anketuarit kanë shprehur më shumë besim tek organizmat ndërkombëtare, si NATO, OKB, dhe BE se sa tek ato vendase.
Ndërsa brenda vendit më shumë besim kanë tek institucionet fetare, ushtria, arsimi dhe shoqatat.

“Shumica e qytetarëve e konsiderojnë qeverinë qendrore dhe vendore si jotransparente apo të përgjegjshme. Gjatë tre viteve të fundit ata perceptojnë një rënie të transparencës dhe llogari-dhënies nga qeveria qendrore dhe ajo vendore” – thuhet në raport.
Mbi 85 për qind e të anketuarve pohojnë se korrupsioni i nivelit të lartë dhe atij të ulët është një dukuri e përhapur gjerësisht në shoqërinë shqiptare.
Sipas tyre, institucionet më të korruptuara janë drejtësia, spitalet, dhe qeveria, e më pas janë parlamenti, policia dhe bashkitë.

Shumica e të anketuarve nuk kanë besim në ndëshkimin e korrupsionit të niveleve të ulëta dhe atyre të larta.
“6 nga 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të vogël, ndërsa 7 në 10 shqiptarë nuk besojnë në ndëshkimin e korrupsionit të madh” – thekson raporti.
Prokuroria e përgjithshme dhe gjykatat shihen si institucionet më pak të pavarura për të tretin vit rresht.

“Mbi 60 për qind e shqiptarëve besojnë se axhenda e gjykatave ndikohet shumë nga interesat politike, ndërsa prokurorinë e vlerësojnë si shumë të ndikuar nga interesat politike” – thuhet në përfundimet e sondazhit.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në demonstrata, tubime dhe peticione mbetet relativisht e ulët. Një pjesë e madhe kanë humbur shpresat se mund të ndikojnë në jetën e vendit, duke ëndërruar një jetë më të mirë në emigrim. “Të paktën 6 nga 10 të anketuarve pohojnë se dëgjesat publike janë takime formale, ku sugjerimet nga grupet e interesit për projektligjet nuk merren parasysh” – thekson raporti.

“Pothuajse 1 në 2 shqiptarë duan të largohen nga Shqipëria. Ata që mendojnë kështu u përkasin grupe me të ardhura të larta, me arsim universitar, si dhe gratë dhe të papunët” – thuhet në studim.
Dyshimet dhe mosbesimi i qytetarëve shtrihen edhe mbi reformën në drejtësi. Sipas sondazhit, afro 1 në 2 shqiptarë besojnë se reforma në drejtësi do të ketë ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit, por gjysma tjetër pohojnë se reforma nuk po kryhet me korrektësi.
Mosbesimin më të madh ndaj reformës në drejtësi e kanë moshat deri në 30 vjeç, të arsimuar e në fillim të karrierës.
Ata u shprehën se “reforma po bëhet sa për sy e faqe”, se “ajo nuk ka ndikim të vërtetë”, se “kjo reformë është proces selektiv, ku po ndëshkohen disa për t’u shërbyer atyre, që kanë mbështetje të fuqishme”.

Reforma në drejtësi perceptohet si proces politik e jo thjesht si proces ligjor. Pjesëmarrësit mbi 55 vjeç raportuan ndikim të kufizuar pozitiv të reformës, sepse sipas tyre, “procesi është i lidhur me interesa të caktuara politike”.
Edhe media vendore, si “pushtet i katërt”, ka fituar rreth vetes një mosbesim të konsiderueshëm.
Sondazhi gjeti se televizioni mbetet burimi mediatik më popullor për marrjen e lajmeve të fundit, veçanërisht për brezat në moshë të madhe, të punësuarit dhe për banorët e zonave rurale.
Por televizioni ndiqet më pak nga të rinjtë dhe nga qytetarët me nivel të lartë të ardhurash.
Të anketuarit nga të gjitha grupet demografike shpesh shprehen se nuk besojnë që media jep informacion të saktë.
Të anketuarit nga moshat e mëdha shprehin besim më të lartë tek institucionet, krahasuar me moshat e reja, të cilat janë veçanërisht mosbesuese ndaj tre degëve të qeverisjes: ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit.
Nëpunësit publikë të anketuar shprehin më shumë besim te institucionet se sa të papunët.
Anketat e të punësuarve në sektorin publik janë në kontrast të madh me ato nga të punësuarit në sektorin privat, nga të anketuarit e papunë, dhe ata me paga të ulëta, vëren studimi.

Modifikuar më Tuesday, 12 May 2020 17:42
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...