Nga Eno Bozdo.
Si pas BERZH (EBRD), rënia ekonomike e Shqipërisë këtë vit do të jetë me minus 9%. Mesatarja e rajonit tonë do të jetë minus 3.5%. Ky është parashikimi më pesimist ndonjëherë, veçanërisht kundrejt vendeve të ngjashme të rajonit. Kjo diferencë shumë e madhe shpjegohet me strukturën e çbalancuar ekonomike të Shqipërisë, si p.sh. eksportet me vlerë të ulët të sthurar dhe mosdiversifikimi i sektorëvë eksportues. Një arsye tjetër është edhe pesha e madhe e sektorit të turizmit në ekonominë shqiptare.
Sa për rifreskim kujtese, qeveria shqiptare ka vendosur të mos ndihmojë as eksportuesit dhe as sektorin e turizmit, duke deklaruar me kokëfortësi se nuk është e nevojshme. Ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë paketa të dedikuara për këto sektorë.
Shqipëria sot është vendi me ndihmën më të ulët në Evropë për ekonominë reale, madje kjo ndihmë është aq e ulët, sa që konsiderohet e papërfillshme.
Reformat e munguara strukturore, korrupsioni galopant, investimet e huaja që po shterrojnë, anarkia në sistemin gjyqësor dhe administrata e paaftë politike, të gjitha sëbashku kanë bërë që Shqipëria të jetë vendi që do të vuajë shumë më tepër krizën ekonomike të COVID 19.